Dhjetë kompani në pronësi të shtetit punësojnë 17.500 të punësuar, që si shifër i afrohet numrit prej 19 mijë të punësuar në tetë kompanitë e huaja më të mëdha në shtet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 janar – Investitorët e huaj, por edhe kompanitë në pronësi të shtetit, si dhe kompanitë private vendore, renditen ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Maqedoni. Analizat tregojnë se në 50 kompanitë që më shumë punësojnë në shtet, janë të angazhuar afër 10 për qind e të gjithë të punësuarve , apo 63.471 punëtorë, shkruan gazeta KOHA. Bile, analizat tregojnë edhe të dhëna jo fort për t’u lëvduar për sektorin privat dhe publik në Maqedoni. Me fjalë të tjera, 10 kompani në pronësi të shtetit punësojnë 17.500 të punësuar që si shifër i afrohet numrit prej 19 mijë të punësuar në tetë kompanitë e huaja më të mëdha në shtet. Vite me radhë, fabrika që angazhon më shumë punëtorë është investitori gjerman “Drekslemajer” në Kavadar me 6381 punëtorë ku janë investuar mbi 40 milionë euro dhe janë punësuar banorët jo vetëm të Kavadarit, por edhe Velesit, Negotinës, Vallandovës… Kjo fabrikë e hapur në vitin 2012, prodhon instalimet e kabllove për Mercedesin e klasit C. Ajo tregon rritje të vazhdueshme të numrit të punëtorëve nga 5730 në vitin 2015, në mbi 6000 në vitin 2017.
Në vendin e dytë, sipas numrit të punëtorëve, është kompania shtetërore Elektranat e Maqedonisë, e cila ka pasur 4721 të punësuar në vitin 2017, që paraqet një rritje punëtorëve në raport me 4566 të punësuar në vitin 2015. Në kuadër të saj punon kapaciteti më i madh në vend i prodhimit të rrymës Termocentrali i Manastirit që angazhon gjysmën e të punësuarve apo 2748 punëtorë , si dhe gati të gjitha hidrocentralet në vend, të cilat sigurojnë 90 për qind të prodhimtarisë vendore të rrymës. Punëdhënësi i tretë më i madh në Maqedoni është “Kromberg Shubert” në Manastir me 4326 punëtorë në vitin 2017. Fabrika gjermane e kabllove për veturat u hap në vitin 2013 në Zonën industriale Zhabeni, ku janë investuar mbi 40 milionë euro. Numri i punëtorëve në këtë fabrikë është rritur nga 2500 në fillim, me tendencë të rritet në mbi 6000 përgjatë vitit 2018. Apo me fjalë të tjera, ajo ka rritur edhe hapësirën e fabrikës prej 18.000 metër katrorë në afër 43.000 metër katror.
Në vendin e katërt sipas numrit të punëtorëve është “Posta e Maqedonisë” me 2265 të punësuar në vitin 2017, me qindra njësi pune gati në të gjitha vendbanimet në shtet, dhe mbi 70 vjet traditë të punës. Pason ndërmarrja publike “Pyjet e Maqedonisë” me 2200 të punësuar. Në ndërmarrjen private të ndërtimit “Granit” janë të punësuar 2080 punëtorë, ndërsa në ish kompaninë “Xhonson Kontroll”, tani “Adient Siting” në Shtip që qep pjesët për karriget e veturave, janë të punësuar afër 2100 punëtorë . Në kompaninë e shitjes së derivateve të naftës që posedon edhe pompa të benzinës në tërë vendin – Makpetroll, janë të punësuar 1700 punëtorë, ndërsa në kompaninë austriake të distribuimit të rrymës “EVN Maqedoni” janë të angazhuar 1694 të punësuar. Top dhjetëshin e punëdhënësve më të mëdhenj në Maqedoni e përmbyll kompania “Genterm” që punon në Zonën industriale në Prilep, me 1526 punëtorë. Në vendin e 11-të është kompania amerikane “Ki Sejft Sisteme”, si kompani serioze botërore, me 34 fabrika në 12 vende, e cila në Zonën industriale në Kërçovë ka angazhuar 1452 të punësuar. Ajo prodhon pjesë për brendet e veturave “Shkoda”, “Porshe” dhe “Folksvagen”, ndërsa pritet që me linjat e reja të prodhimit – të jetë në gjendje të furnizojë me pjesë edhe brendet “Fiat”, “Suzuki”, “Honda”, etj.
Në listë përfshihet edhe Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup me 1410 të punësuar, dhe ndërmarrja farmaceutike “Alkaloid” me 1391 punëtorë. Në vendin e 14-të renditet kompania “Lear” që punon në Zonën industriale të Tetovës e shtrihet në 12 000 metër katrorë, me 1378 punëtorë, ndërsa në të ardhmen planifikohen të punësohen 2500 deri 3000 punëtorë, përmes ekspansionit prej 8000 metra katrorë shtesë. Në rang global, “Lear” është furnizues kryesor i ulëseve dhe sistemeve elektrike, me produkte të cilësisë botërore , ndërsa në të gjithë botën ka mbi 132 mijë të punësuar në 235 objekte prodhuese, në 34 vende të botës.
Në vendin e 15-të renditet Higjiena Komunale në Shkup me 1252 punëtorë, e pasuar nga fabrika holandeze e autobusëve “Van Holl” me 1234 punëtorë, dhe kompaninë e amerikane “Amfenoll” në Koçan me 1221 punëtorë. Kompania më e vjetër në Maqedoni – Tineks për shitjen me pakicë të ushqimit që shtrin rrjetin e shitjes me supermarketet e saja në Shkup dhe vendbanimet më të mëdha në shtet, ka 1219 të punësuar. Në vendin e 19-të sipas numrit të punëtorëve renditet Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe Kanalizimit në Shkup me 1181 punëtorë.
Telekomi i Maqedonisë punëson 1117 punëtorë, ndërsa ndërmarrja private e ndërtimit – Beton punëson 1095 punëtorë. Ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Maqedoni renditen edhe ndërmarrja Hekurudhat e Maqedonisë me 1093 punëtorë, dhe zinxhiri grek i shitjes me pakicë, “Vero” me 1024 punëtorë që përmbyllin listën e punëdhënësve me mbi 1000 punëtorë në shtet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.