Ndërmarrjet shtetërore me mjetet që i posedojnë realizojnë një profit të tillë me të cilin do ti rinovojnë kapitalin për 38 vjet, në raport me kthimin e kapitalit të investuar në ndërmarrjet privat prej dhjetë vitesh, thotë eksperti Pavle Gacov
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 dhjetor – Ndërmarrjet publike në Maqedoni nevojitet të rrisin llogaridhënien e punës së tyre, të ulin ndikimin e fuqishëm politik, të vendosin sistemin e meritave në punën e tyre, të vendosin masat antikorrupsion, si dhe të vendosin interesin publik para interesit privat. Kjo ndër të tjerash u theksua në debatin” Puna financiare e ndërmarrjeve shtetërore nën llupë”, e organizuar nga Qendra për komunikime qytetare, shoqata Konekt me mbështetje të BE-së. Nga zyra e Bashkimit Evropian në Shkup thonë se nevojitet më shumë masa në favor të pavarësimit të tyre financiar, rritje së integritetit të tyre etj. “Nevojitet që edhe ndërmarrjet shtetërore të mendojnë ngjashëm me ndërmarrjet private, duke u bërë sa më pak të varura nga subvencionet nga buxheti i shtetit, ndërsa nevojitet që më shumë të varen nga vetë puna e tyre. Njëherazi nevojitet ti kushtohet më shumë vëmendje edhe sundimit të së drejtës, apo luftës kundër korrupsionit për shkak se këto janë edhe faktorët kryesor të anëtarësimit të shtetit në BE”, thotë Frenk Janmat nga delegacioni i BE -së në Shkup.
Autori i analizës “Puna financiare e ndërmarrjeve shtetërore”, Pavle Gacov thotë se 30 ndërmarrjet më të mëdha të themeluara nga shteti dhe komunat në periudhën 2015-2018, kanë ulu të ardhurat e tyre për 35 për qind, ndërsa në vitin 2018 kanë realizuar të ardhura prej vetëm 65 për qind nga totali i të ardhurave që i kanë realizuar në vitin 2015. “Këto ndërmarrje tregojnë jo vetëm profit të dobët , por edhe kthim të ulët të kapitalit. Bile disa prej tyre nuk mund të kthejnë kapitalin e tyre as për 500 vjet. Gjithashtu borxhet i paguajnë për 514 ditë në mesatare , andaj në biznes kompani me afat kaq të gjata të pagesës ju iket në biznes bërje, apo ju ofrohen çmime më të larta se ato të tregut”, shton më tej Gaçov. Sipas tij, shkalla mesatare e profitabilitetit të tyre në katër vitet e analizuara është një shifër modeste prej 5.9 për qind. “ Ndërmarrjet shtetërore me mjetet që i posedojnë realizojnë një profit të tillë me të cilin do ti rinovojnë kapitalin për 38 vjet, në raport me kthimin e kapitalit të investuar në ndërmarrjet privat prej dhjetë vitesh. andaj atyre ju nevojitet edhe një menaxhment më profesional”, shpjegon Gacov punën jo për të lëvduar të kompanive në pronësi të shtetit.
Në ndërkohë, Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikime Qytetare thotë se për ndërmarrjet publike në Maqedoni nuk duhet të synojnë të jenë profitabile por kryesorja është të punojnë në interes të qytetarëve, apo me fjalë të tjera të sjellin shërbime më të mira në raport me kapitalin e tyre. “Ndërmarrjet publike tek ne kanë transparencë të ulët të punës së tyre, kanë ndikim të madh politik si dhe ju mungon një mbikëqyrje më e madhe e tyre. Andaj nevojitet të vendoset masa për uljen e rrezikut të korrupsionit që edhe parashikohet në punën e Komisionit të ri antikorrupsion për vitin 2020”, thekson Fakiq.
Sipas saj , nevojitet edhe ulja e punësimeve partiake në këto ndërmarrje të themeluara nga shteti, avancimi i kornizës ligjore për punën e tyre, si dhe miratimi i një ligji special për shoqëritë tregtare që do të rregullojë punën e tyre. Ndryshe, analiza ka marrë parasysh punën dhe suksesin e 30 ndërmarrjeve më të mëdha në pronësi të shtetit dhe komunave të cilat në vitin 2018 kanë pasur të ardhura të përgjithshme prej 737 milion euro dhe kanë punësuar 22.864 njerëz. Aftësia kredituese e tyre tregon se totali i borxheve të tyre është pak më i lartë se kapitali dhe rezervat e tyre, ndërsa shkalla e vetëfinancimit të tyre është në zonën e sigurisë me 87 për qind në katër vitet e kaluara.
Njëherazi ajka e ndërmarrjeve në pronësi shoqërore arrijnë të punojnë në mënyrë pozitive duke mbuluar në tërësi harxhimet e tyre dhe duke realizuar tepricë prej katër për qind në periudhën 2015-2018. Njëherazi analizat tregojnë se ato posedojnë mjete të mjaftueshme financiare për mbulimin e obligimeve afatshkurtra. Ndryshe, analiza është mbështetur në pesë tregues kryesor financiar si profitabiliteti, efikasiteti, stabiliteti financiar, ekonomizimi dhe likuiditetit apo disponimi me para të gatshme i ndërmarrjes. (koha.mk)