Ndërkombëtaret, thirrje kundër dhunës. Presidenti Meta bën thirrje për qetësi

Ambasada e SHBA-së përmes një reagimi ka dënuar dhunën gjatë protestës se opozitës. “Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thellësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi”, thuhet ne reagimin e Ambasadës Amerikane.

Edhe Ambasada Britanike ka reaguar duke nxitur të gjithë që të tregojnë respekt për sundimin e ligjit.

“Është koha për qetësi dhe vetëpërmbajtje dhe demonstrime paqësore”, thuhet në reagimin e Ambasades Britanike për dhunën në protestë. Ndërsa OSBE thekson se organizatorët e protestës së mbrëmjes të së shtunës duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre.

“Mendimet tona shkojnë me familjet e të plagosurve. OSBE-ja do të vijojë të nxisë opozitarizmin efikas dhe dialogun në Shqipëri. Por ne i dënojmë plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunën si një rrugë të shkurtër politike; ata do të dështojnë”, thuhet ne reagimin e OSBE.

Edhe Presidenti Ilir Meta në reagimin e tij ka shprehur shqetësimin e u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga këto veprime.

“I bëj thirrje sërish të gjithë individëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe Policisë së Shtetit të ruajë qetësinë dhe të evitojë përdorimin e panevojshëm të dhunës ndaj protestuesve”, thuhet ne reagimin e kreut te shtetit.

Ndërsa kryeministri Edi Rama përmes reagimit te tij në Twitter ka vlerësuar profesionalizimin e policisë përballe akteve të dhunës.

“Respekt për trupat e Policisë së Shtetit që me profesionalizmin e tyre nderuan uniformën e shtetit përballë një turme të udhëhequr nga dëshpërimi i politikës qorre. Shërim të shpejtë për policët e plagosur dhe ndëshkim për dhunuesit e tyre e për zjarrvënësit e institucioneve!’ thuhet ne reagimin e Ramës.