Ndërkombëtarët dorë të rëndë Rusisë, e lënë jashtë Botërorit

Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) vijon betejën me Federatën Ruse, duke shtyrë sërish pa afat pezullimin e atletëve rusë për shkak të dopingut. Vendimi është marrë nga komiteti ekzekutiv.

Atletika ruse është e pezulluar nga të gjitha garat që prej nëntorit 2015. Sportistët e saj garojnë në turnetë ndërkombëtare të sportit të “mbretëreshës” vetëm përmes flamurit të IAAF, si atletë neutralë.

Kjo shtyrje e radhës e pezullimit ka bërë që atletët rusë të jenë në dilemë për të marrë pjesë në Botërorin që do të zhvillohet në Doha në fund të shtatorit e fillim të tetorit. Sipas IAAF-it, nëse situata do të vazhdojë të jetë e njëjtë, atletët rusë që kanë marrë “OK”-in për të garuar do të zbresin në pistën e Dohas sërish si neutralë.

Rune Andersen, kryetari i “task force” që IAAF ka ngritur për të monitoruar situatën në atletikën ruse, tha: “Ndryshimi i situatës në atletikën dhe antidopingun rus po ecën mirë, por jo mjaftueshëm për të hequr pezullimin. Ne do të paraqesim edhe një raport të fundit para botërorit që zhvillohet në Doha. Ne duam që atletët rusë të garojnë, por gjithçka varet nga ata”.