Dibër, 8 korrik – Sot qyteti i Dibrës nuk kishte ujë për të pije, pasi ekipi special realizoi ndërhyrje teknike në kaptazhin e burimeve në fshatin Rosok, si dhe në tubacionin kryesor i cili kalon mbi Urën e Mellniçanit.
Drejtori i ndërmarrjes komunale “Standadi”, Mazllum Lleshi, informoi se ekipi special i kompanisë “SNS” nga Shkupi, e cila është e vetmja në vend për ndërhyrje teknike në ujësjellës, realizoi ndërhyrje në kaptazhin me çka ka bërë edhe ndërrimin e disa ventileve. Gjithashtu, ekipi në fjalë vendosi ventil të rinj të prodhuar në Çeki, në gypin e ujësjellësit tek Ura e Mellniçanit.
Lleshi tha se pas këtyre ndërhyrjeve në ujësjellësin Rosok-Dibër, e që ka një gjatësi 22 kilometrash, pritet që për së paku 30 litra ujë në sekondë të rritet prurja e ujit nga burimet e Rosokut në rezervuarin në Dibër. Besohet se me këtë ndërhyrje dukshëm do të përmirësohet furnizimi me ujë për pije në Dibër, pasi deri sot, restrikcioni i ujit në qytet ka arritur në 8 orë.
Ndryshe, ditëve të fundit, përveç restrikcionit të ujit gjatë ditës, në Dibër ka filluar edhe restrikcioni i ujit edhe gjatë natës. Në ndërmarrjen komunale publike “Standardi” thonë se restrikcioni i ujit për pije është për shkak se ka keqpërdorim të ujit. Sipas drejtorisë të ndërmarrjes gjatë ditës në Dibër ka restrikcion të ujit nga ora 13 deri në ora 17, kurse gjatë natës nga ora 3 deri në ora 6 të mëngjesit.
Në një situatë të këtillë, reagimi i qytetarëve është i madh, sidomos në zonat ku ka banesa shumëkatëshe kolektive, por edhe në lagjet “Venec 1”, “Venec 2”, dhe në disa pjesë të vjetra të qytetit. Në krahasim me vitet e kaluara, këtë vit vendosja e restrikcionit të ujit për pije në qytetin e Dibrës filloi më herët, respektivisht që në muajin maj. Edhe pse kompetentët thonë se në rezervuarin kryesor arrijnë 130 litra ujë në sekondë, dibranët edhe këtë verë kanë probleme të shumta me furnizimin me ujë.
Ujësjellësi Rosok-Dibër ka një gjatësi prej 22 kilometrash dhe tubacionet e këtij ujësjellësi të ndërtuara në vitin 1986 kalojnë edhe mbi Urën e Mellniçanit. Mirëmbajtja e këtij ujësjellësi deri tani nuk ka qenë në nivelin e duhur, thonë ekspertët. Një pjesë e këtij ujësjellësi nga “Ura e Mollniçanit” shkon edhe në Komunën Qendër Zhupë. Në ndërmarrjen komunale “Kale” informojnë se këto ditë restrikcioni i ujit është 12 orë. Në këtë komunë shfrytëzohet edhe një ujësjellës sporadik nga burimet të Lluçishtës. (koha.mk/V.S)