Nga Dr. Arben TARAVARI
Një nga rezultatet më të rënda të eksperimentit të çmendur politik, një lloj dehumanizimi që e ktheu njeriun në kafshë që rron nga instinktet bazë është se një pjesë me indiferencën e tyre maskohet me terma të tipit “globalist” apo “neutral”, terma që as nuk ia dinë kuptimin, janë ata që përpiqen të përfitojnë nga gjithçka me heshtjen e tyre Globaliste, pavarësisht se Martin Luther King ka thënë: “Vendi më i nxehtë në ferr u është rezervuar atyre që mbeten neutral në kohë konflikti të madh social”.
E është vetëm Zotit që mund t’i lutemi të shpëtojë neutralët! Ndërgjegjja kolektive është një nga çelësat bazë të një shoqërie të shëndoshë. Duke protestuar pa drojë për të gjitha padrejtësitë njerëzore ne vetëm tregojmë që edhe pse brenda një represioni të jashtëzakonshëm politik kemi arritur të zhvillojmë Ndërgjegjen Kolektive!
Duke analizuar sjelljet e Shtetit ndaj qytetarëve shpesh herë më duket vetja në një laborator nazist të Luftës së Dytë Botërore ku duan të shikojnë se deri ku mund të arrijë durimi i natyrës njerëzore!
Njerëz që lihen pa punë, pastaj ju jepet një rrogë, si kocka qenit, me kushtin që të mos vijnë në punë…të tjerëve ju kërkohet të rrinë të burgosur 8 orë në vendin e punës pa bërë asnjë punë! Dhe të mendosh që kjo është klasa më me fat e shoqërisë, pasi pjesa tjetër përbëhet nga një shumicë që nuk ka punë! Pavarësisht profesioneve dhe zanateve ata janë të dënuar pasi janë me partinë e gabuar, shteti është indiferent ndaj tyre deri në krim! Kjo sjellje jonjerëzore e strukturave të shtetit, kjo sundim totalitar i egër, ka zhvilluar një mefshtësi të rrezikshme!
Populli ka në diskutim Ndërgjegjen Kolektive! Të mundur nga vrazhdësia e një Shteti arrogant deri në dhimbje duket se mosbesimi dhe braktisja ka zënë rrënjë te një pjesë e madhe e popullsisë së lodhur!
Si në çdo shtet të botës edhe ne kemi shtresa të ndryshme të Shoqërisë por raporti i tyre me njëra tjetrën bën diferencën! Kështu ka të pakënaqur gjithandej, por puna është sa për qind e popullsisë është e pakënaqur këtu dhe sa në Norvegji për shembull! Çfarë është ai buton që duhet shtypur që të kemi një vend ku të mbështetemi?! Nëse duam që të jemi më mirë duhet të aktivizojmë Ndërgjegjen Kolektive!
Duhet të kuptojmë që është e vetmja mënyrë për të dalë nga ky batak ku kemi rënë! Të shpëtojmë nga Prokurorë Kriminelë që kanë në duart e tyre çelësat e Drejtësisë, Politikanë Antireformist që mbeten në Qeveri Reformiste, nga një shtet një votë në kohë Zgjedhjesh dhe një shtet një Parti pas tyre! Të shpëtojmë nga ata që na i vrasin fëmijët 2-3 herë, të shpëtojmë të paktën atë pjesë te jetës që na ka mbetur nga ky realitet tepër i trishtë që jetojmë në shekullin e 21.
Ndërgjegjja Kolektive ka armiq të saj kryesor: Neutralët! Ata që mendojnë se duke ruajtur pozicionin e neutralit do i shmangen sistemit të një shteti të padrejtë, gabojnë dhe plus janë fajtorë! Brenda vanitetit të tyre, egoizmit dhe hipokrizisë ata mendojnë se kanë gjetur pikën e artë, ekuilibrin, duke u rezistuar përplasjeve të mëdhà sociale që shteti ynë ka. Ndoshta ithtarë të neutralitetit ata fshihen nën shprehjen “qengji i mirë pi nga dy nëna”…
Është e trishtueshme të shikosh se si për probleme të rënda të cilat duken ditën me diell, ka një grup njerëzish të cilët heshtin njësoj sikur të jetonin në një kapsulë hermetike! Ata nuk janë pjesë e Ndërgjegjes Kolektive, ata janë armiku i këtij koncepti që është baza e një shoqërie të shpëtuar!
Nëse duam që realiteti ynë të jetë ndryshe nga ky që kemi, duhet me u përqendrua gjithsesi tek Ndërgjegjja Kolektive! Ndërrimi i emrave të pushtetarëve (pasi pushteti ka mbetur i njëjtë), duket se vazhdon lojën e shkatërrimit të vlerave të shoqërisë dhe dashje pa dashur është Grupi i Neutralëve që e mbështet më shumë se të gjithë, Shkatërrimin e Ndërgjegjes Kolektive! Por si shteti ashtu dhe neutralët duhet të dinë që njeriu ka lindur si qenie sociale, e ka të pamundur të jetojë i veçuar, i izoluar, i shtypur, i varur…procesi i nënshtrimit me eksperimente morbide sigurisht që duket se ngadalëson procesin e përparimit të shoqërisë, por nga ana tjetër kur do shpërthejë Ndërgjegjja Kolektive do jetë një uragan që nuk do të kursejë as armiqtë e saj, neutralët, që herë me dashje e herë me naivitet janë përgjegjësit kryesorë që gjendemi në këtë kaos politik, social, ekonomik e natyrisht psikologjik! Shenjat e Ndërgjegjes Kolektive veçse kanë filluar të shfaqen!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)