Trajko Veljanovskit nuk ju hoq mandati, sepse kështu deshi BDI-ja! Maskaradë më të dukshme në sy të popullit nuk ka! Të amnistosh krimin duke përdorur pushtetin që të ka dhënë posti është skandal që jo vetëm të rrëzon nga ai post, por të fut edhe në burg! Me pak fjalë, BDI-ja (partia që u duk se tradhtoi Gruevskin me Zaevin), doli që jo vetëm e do VMRO-në më shumë se LSDM-në, por kulmi është që e do më shumë se shqiptarët
Nga Dr.Arben TARAVARI
Një nga të dhënat kryesore të shoqërive të zhvilluara, është Ndërgjegjja Kolektive. Ajo është e pranishme dhe e fortë deri në atë masë, sa madje luan rolin e partisë apo pushtetit më të rëndësishëm ndër të gjitha pushtetet. A kemi ne shqiptarët ndërgjegje kolektive? Fatkeqësisht duket se jemi larg të pasurit një të tillë, që edhe pse tek-tuk del në dritë për ndonjë moment të shkurtër, zhduket më përpara se të dukej e plotë, duke shkaktuar edhe më shumë dëm se sa po mos të ekzistonte fare.
Shpërbërësit, asgjësuesit, armiqtë e Ndërgjegjes Kolektive janë kryesisht varfëria, injoranca dhe mbi të gjitha mungesa e shtetit. Në kohë të tëra është vërtetuar që nëse një shtet nuk e do nënshtetasin e tij, ky i fundit nuk do besojë më tek shteti, nuk do besojë më tek shoqëria. Dhe Maqedonia e Veriut i ka dhënë shumë shembujve banorëve të saj, në mënyrë të veçantë shqiptarëve, si asgjësuese e Ndërgjegjes Kolektive. Me një sistem djallëzor të diktuar nga qëllime antinjerëzore, çfarëdo lloj organizimi shtetëror i ka përçarë shqiptarët. Nuk është rasti të themi fjalinë klishè që madje duket se po kthehet në një proverb, fjalë e urtë, që e thonë shqiptarët vet gjithnjë e më shpesh: ne nuk bëhemi-Jo! Në thelb është strategjia me të cilën është përpjekur të mbysë Ndërgjegjen Kolektive dhe suksesi i saj, pasi përfundimisht ne kemi një marrëdhënie tepër sporadike me qëndrimin tonë të përbashkët ndaj shumë situatave apo ngjarjeve që na ndodhin përditë në vendin tonë, që duket se është kthyer në një qendër xhirimi për telenovela turke. Rasti i fundit është ai që ndodhi me deputetin Trajko Veljanovski. Ky i fundit dyshohet me prova të forta të ketë qenë orkestruesi i turbullirave që ndodhën në Parlamentin tonë, në 27 prill të 2017-ës, ditë në të cilën u sulmua barbarisht pothuajse deri në vdekje, kryetari i ASH-së, z.Ziadin Sela.
Jo vetëm kaq, por meqë tashmë kanë marrë pozicionet më të lartë në hierakinë e shtetit, vlen të përmendet që u sulmua edhe një grup politikanësh që atëherë përfaqësonin partinë opozitare LSDM, kurse sot përfaqësojnë jo vetëm këtë parti por edhe vetë shtetin. Në atë kohë qeveriste Gruevski me Ahmetin, kurse Zaevi me Selën u rreshtuan krah njëri tjetrit që të rrëzonin qeverinë. Me qeveri nënkuptohej Gruevski me gjithë Ahmetin, sidomos z.Zaev ishte shumë i zëshëm në atë kohë kundër BDI-së, duke qenë i pari politikan maqedonas madje që po i qante hallin popullit shqiptar e po përpiqej t’i thoshte të vërtetat e zeza, ndryshe thënë të famshmet “bomba” të Zaevit.
Atëherë Zaevi filloi të dukej si një superhero, sepse bombat e tij do të demaskonin më në fund klasën e inkriminuar politike! Me këtë kontekst s’mbeti i madh e i vogël në ASH që nuk u vendos në të njëjtin front ku Zaevi kishte vendosur arkën me bomba, pra në frontin e spastrimit të korrupsionit. Dita më e ashpër e kësaj oponence ishte pikërisht 27 prilli i 2017-ës, ku për mos tu përsëritur, huliganë të cilët u lejuan të vepronin me skenarin e tyre qëllim-vrasës, bash në kohën që kryetar i Parlamentit ishte z.Trajko Veljanovski. Pasi ndodhi rokada e pushtetit, LSDM-ja erdhi në Qeveri, por ama i duhej patjetër BDI-ja si patericë për të qëndruar aty. Kështu ishte një copëz e shkurtër kohe ku rrahja barbare e Selës u përdor nga çdo forcë e madhe politike në vend! Mirëpo kur erdhi puna të vendosej drejtësi për 27 prillin, LSDM-ja pati kundër patericën e saj…BDI-në.
Kështu Trajko Veljanovskit nuk ju hoq mandati, sepse kështu deshi BDI-ja! Maskaradë më të dukshme në sy të popullit nuk ka! Të amnistosh krimin duke përdorur pushtetin që të ka dhënë posti është skandal që jo vetëm të rrëzon nga ai post, por të fut edhe në burg! Me pak fjalë, BDI-ja (partia që u duk se tradhtoi Gruevskin me Zaevin), doli që jo vetëm e do VMRO-në më shumë se LSDM-në, por kulmi është që e do më shumë se shqiptarët, si kombi që ja përdor gjuhën dhe figurat kombëtare, pasi zakonet dhe traditat nuk po duken fare si tonat! Nëse ka rast më të mirë për të ndezur Ndërgjegjen Kolektive se ky, atëherë i bie të presim kur të na vrasin fëmijët ditën me diell.
LSDM-ja ra dakord me këtë krim në sy të popullit, ra sepse asaj i duhet paterica, kurse paterica vet ka mirënjohjen e ish-partnerit, që sa kohë do ketë BDI-në në pushtet asgjë e keqe nuk mund ta gjejë, asnjë krim nuk mund t’i dënohet! I vetmi rrezik është madje që si një Kalë Troje ideal, mos zgjohen natën e na çojnë Zaevin pale se ku, e midis trumbetash lirie na troket në mëngjes shoku Gruevski me disa oligarkë nga mbrapa!!! Askush nuk dyshon në politikën e errët, konspirative, lajkataro-kriminale të BDI-së, e cila vetëm para disa ditësh i tha Po krimit duke mbrojtur Trajko Veljanovskin, i cili duhet të sqarojë drejtësinë dhe mbi të gjitha popujt e Maqedonisë së Veriut!
Jam i sigurt që Zaevi nuk ka shkuar në kishë të ndez qiri për shëndetin e Veljanovskit, edhe që përbrenda do me gjithë zemër që ai njeri të gjykohet, por i ka zënë sharra në gozhdë me BDI-në, pa të cilën bie nga Qeveria! Vetëm se kam një dilemë, mos ndoshta ky qëndrim që po mban LSDM-ja ndaj lëvizjeve të BDI-së rrezikon që ta heqë njëherë e përgjithmonë nga pushteti?!
Të gjitha veprimet e BDI-së janë aq ofenduese ndaj popullit, sa ka humbur simpatinë edhe tek të vetët. Kësaj radhe madje aq hapur po tradhton popullin sa më në fund po fillon të formohet Ndërgjegjja Kolektive. Duket sikur BDI-ja ka mision të ngrejë popullin kundër qeverisë, kundër LSDM-së… asgjë nuk po dihet më se çfarë vizioni malinj sheh BDI-ja, ajo që dihet është se kundër saj po ngrihet një dallgë e madhe që është Populli dhe Ndërgjegjja e tij!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)