Banorët e Durrësit, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti dhe u kthyen në të pabanueshme, janë larguar drejt qyteteve të tjera të vendit. Në Korçë e Pogradec kanë qenë të shumë banorët nga Durrësi, të cilët janë akomoduar në hotele e bujtina, por edhe tek të afërm të tyre. “Unë jetoj në Durrës. Tmerr, të mendosh që të jetosh në emigracion për 10 vite, dhe të kthehesh në vendin tënd dhe të pësosh një tronditje psiqike, të paimagjinueshëm. Vet jam korçar, ndjej kënaqësi këtu”, shprehet i moshuari. Ndërkohë një tjetër mes lotësh tregon momentet e tmerrit, ndërsa shprehet se ka parë gjëra që nuk do donte t’i kujtonte kurrë. “Jam nga Durrësi. Me vjen me qa kur kujtojë tmerret. Kam parë gjëra që s’do t’i shoh kurrë në jetë. Kam ndenjur 16 orë me një fëmijë 6-muajsh në shtëpi. Tani jam shumë i qetë. Vajzën me të dy fëmijët i kanë nisur në Itali. Korça është siç ka qenë gjithmonë, shumë mbështetje dhe dashamirësi. Nga këto që kam veshur nuk janë të mijat asgjë, vetëm jeleku. I kam lënë të lahen se kisha ditë pa u larë. Do rri deri sa të kem qetësinë. Durrësi ka humbur për mua, nuk është më. Kam shëtitur ditën e dytë të tërmetit në Durrës dhe them; ai qytet nuk bëhet më. Shqipëria ka një qytet më pak sot”, -tha i moshuari për gazetaren e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Lorena Kodra.