Kërçovë, 12 gusht Sot në mëngjes është ndarë nga jeta në moshën 69 vjeçare poeti kërçovar Begzat Rrahmani.
Ai edhe pse prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë, penën nuk e ndau asnjëherë nga dora, duke shkruar kështu poezi deri ditët e fundit të jetës së tij, e të cilat i postonte në rrjetet sociale.
Begzat Rrahmani lindi në vitin 1949 në fshatin Zhubrinë të Kërçovës. Pasi mori mësimet e para në vendëlindje, të mesmen do ta vazhdonte në Gostivar, ndërkaq studimet e Larta Pedagogjike në Prishtinë.
Ka punuar shumë kohë si pedagog, por që letërsinë e dashuronte që nga fëmijëria, ku edhe poezit e tij të para datojnë që nga bankat e shkollës tetëvjeçare.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme si në poezi, proza e tregime ku hapsirën më të madhe ua kushtoj fëmijëve.
Karakteristika më e veçantë e poetit Begzat Rrahmani që atë e madhështonte ishte thjeshtësia me të cilën ai komunikonte me këdo e ku ishte i gatshëm të bisedojë për çfardo teme, por ajo që më së shumti e shqetësonte ishte migrimi, pra ikja e të rinjëve jashtë atdheut dhe fenomenet negative që ai konstatonte nga keqëqeverisja, e të cilat nuk i kursente duke i trajtuar në poezit e tij.
Kështu gjatë krijimtarisë letrare, në tërë veprën e Begzat Rrahmanit vihen re disa nga tiparet kryesore në të cilat mbështetet arti i penës së tij siç janë: kulti i tokës dhe i bukës, shenjtërimi i njeriut dhe natyrës, raporti personal me vendëlindjen, miti i atdheut, historia e të parëve, si dhe zhgënjimi për fenomenet negative të kohës që ai kishte paharruar të shpreh edhe optimizëm për të ardhmen.
Humbja e poetit Rrahmani ka prekur jo vetëm familjarët e tij, por dhe farefisin, miqtë, kolegët dhe mbarë opinionin kërçovarë. Ai do të kujtohet nga shumë gjenerata nëpërmes vargjeve që la të shkruara si një pasuri që nuk tretet kurrë.