Është ndarë nga jeta krejt papritur gazetari, historiani dhe botuesi i njohur, Thimi Nika. Lajmi i dhimbshëm është konfirmuar këtë mëngjes, ndërsa të shumtë janë ata të cilët janë tronditur nga ikja e tij.
Ai qe gazetar,shef,drejtor,filatelist,historian,redaktor klasi,botues…
Nga 6 janari i vitit 1971 deri në 15 prill 1989, punoi si gazetar dhe sekretar kolegjiumi në gazetën “Zëri i Popullit”.
Në 15 prill të vitit 1989, emërohet drejtor i Radio Tiranës, ku punoi për rreth katër vjet. Më pas punoi në Entin Botues “Voskopoja”, si drejtor ekzekutiv dhe drejtor i revistës “Afër dhe larg”, organ i këtij Enti.
Në vitet 1995-96, ka qenë kryeredaktor i gazetave “Alternativa SD” dhe “Poli i Qendrës”. Nga 3 shtatori i vitit 1997 e deri më 11 shkurt 2014, punoi në Institutin Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ku për gati 9 vjet ( 3 shtator 1997 – 2 maj 2006) ka qenë drejtor i këtij institucioni. Më 11 shkurt 2014 mbushi 65 vjeç dhe doli në pension.
Thimi Nika ishte koleksionist. Koleksionoi pulla dhe histori postare shqiptare, zarfa FDC dhe kartmaksimume shqiptare (ka marrë pjesë në ekspozita filatelike brenda dhe jashtë vendit). Ishte koleksionist pikturash të autorëve shqiptarë (ka çelur pesë ekspozita nga fondi i pikturave të tij); koleksionon gjithashtu monedha e kartmonedha shqiptare, kartolina dhe fotografi shqiptare, si dhe telekarta shqiptare.
Ka qenë për 20 vjet pedagog i jashtëm i Universitetit të Tiranës. Nga viti 1995 është “Doktor i shkencave”.
Thimi Nika është autor i tre librave të botuar. Libri i tretë titullohet “Historia e Filatelisë Shqiptare”, vënë ne qarkullim në vitin 2013, vit i 100-vjetorit të pullës së parë kombëtare shqiptare.