Shkup, 22 nëntor – Në Kuvend sot për herë të parë u nda çmimi shtetëror “22 Nëntori” për mirënjohje ndaj njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sivjet me këtë çmim u dekoruan studiuesi, historiani dhe humanisti David Hosaflok dhe veteranët e arsimit Kimete Agai dhe Adnan Agai.
Shqiptarët në RMV sot e shënojnë 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili është unifikuar më 22 nëntor të vitit 1908 në Kongresin e Manastirit i cili konsiderohet si dita më e rëndësishme kulturore për shqiptarët nga fillimi i shekullit 20.
“Kjo ngjarje ka konotacion kombëtar, por edhe universal, mision bashkues për popujt. Gjuha dhe alfabeti jo vetëm që janë mjetet më të fuqishme në ruajtjen dhe kultivimin e bashkësisë së një populli por edhe faktorë të rëndësishëm në realitetin multikulturor të vendit tonë me respektimin e të gjitha bashkësive tona me ç’rast kulturat e ndryshme do të respektohen, do të plotësohen dhe do të pasurohen midis tyre”, theksoi Gëzime Starova, kryetare e Këshillit për ndarjen e çmimit dhe gjykatëse kushtetuese.
Starova në fjalimin e shkurtër tha se diversiteti etnik dhe gjuhësor në shoqërinë tonë konsiderohen si epërsi dhe pasuri e përbashkët, pasi, siç shtoi “na thërrasin vlerat që i pranuam si vlera tona reale në rrugën drejt integrimit në BE”.
Në emër të fituesve të çmimit falënderim shprehu David Hosaflok, studiues, historian dhe humanist.
Në solemnitet morën pjesë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, thuajse të gjithë ministrat në Qeveri të BDI-së, deputetë të BDI-së dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti si edhe personalitete të tjera publike.
Në solemnitet nuk pati ministra të partnerëve të tjerë të koalicionit e as deputetë të bashkësive të tjera etnike.
Pas ngjarjes në një deklaratë për mediat Ahmeti tha se ky është moment i rëndësishëm pasi çmimi për herë të parë ndahet dhe e marrin personalitete të njohura të kulturës dhe arsimit si edhe profesorët Agai dhe zoti David Hosaflok, i cili e ka studiuar kulturën jo vetëm të shqiptarëve por edhe të popujve të tjerë në rajonin tonë.
Për mospraninë e anëtarëve të Qeverisë të cilët nuk janë shqiptarë, Ahmeti tha se do të jetë shumë i hapur dhe se pret se në takimet e ardhshme të cilat do të organizohen për kulturën shqiptare dhe për ditë të veçanta si kjo ku ndahet një çmim shtetëror, të vijnë të gjithë përfaqësuesit e bashkësive të tjera veçanërisht maqedonasit.
“Kjo nuk duhet të ndodh as tek maqedonasit e as tek shqiptarët, të bojkotohet ose të kalojë në heshtje një moment i rëndësishëm si ky prej historisë tonë”, tha Ahmeti, duke shtuar se këto ditë duhet të shënohen bashkërisht dhe të jenë shembull për gjeneratat e reja.