Shkup, 28 dhjetor – Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve sot u ndanë vërtetimet për deputetët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2016. Raporti për zbatimin e zgjedhjeve dhe rezultate përfundimtare gjatë ditës do të dorëzohet në Kuvend, kumtoi kryetari KSHZ, Aleksandar Çiçakovski. Vërtetimet iu ndanë përfaqësuesve të koalicioneve dhe partive politike që fituan vende për deputetë, ndërsa jo siç ka qenë deri tani personalisht deputetëve të sapozgjedhur. Përbërja e nëntë parlamentare do të ketë 120 deputetë. Më tepër mandate ka fituar koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE 51, koalicioni i kryesuar nga LSDM 49 mandate, BDI 10, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2. Nuk do të ketë deputetë nga diaspora për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të votave. Çiçakovski theksoi se zgjedhjet janë zbatuar konform dispozitave ligjore dhe se kanë kaluar në atmosferë korrekte dhe demokratike dhe se votimi ka kaluar konform standardeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe OSBE-së. Përveç në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Raporti për zbatimin e zgjedhjeve do të dërgohet edhe deri te Agjencia për media, ndërsa institucionet tjera do të mund ta ndërmarrin nga ueb-faqja e KSHZ-së. Përfaqësuesi i autorizuar të BDI-së, Arbër Ademi deklaroi se fushata zgjedhore dhe dita e zgjedhjeve kaluar në atmosferë demokratike. Ai i falënderoi të gjithë qytetarët, të cilët kanë kontribuar, siç tha, që në rrethana të këtilla të organizohen dhe të zbatohen zgjedhje, KSHZ-së dhe të gjitha institucioneve shtetërore, të cilat kanë kontribuar për këtë me punën e tyre në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe të gjithë monitoruesve. “Ne si deputetë presim nga të gjithë që të fokusohen në zbatimin e proceseve reformuese dhe vendi të kthehet në rrugën e integrimit evropian. Pritet punë e rëndësishme dhe për këtë pres se të gjitha institucionet do të punojnë për të mirën e të gjithëve”, tha Ademi. Pritet që Kuvendi sot pasdite ta njoftojë datën e mbajtjes së seancës konstitutive, që duhet të konvokohet brenda ditës së shtunë, 31 dhjetorit, në mesnatë. Seanca konstitutive, sipas paralajmërimeve, do ta konvokojë dhe udhëheqë kryetari i Kuvendit në largim Trajko Veljanoski. Nuk ka informacione nëse në të njëjtën seancë, do të zgjidhen edhe kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit apo vetëm të verifikohen mandatet e deputetëve. Pas konstituimit të Parlamentit, presidenti i Republikës së Maqedonisë është i detyruar që në një afat prej dhjetë ditësh mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, respektivisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandati në një afat prej 20 ditësh nga dita e besimit të mandatit Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë në propozim të mandatarit dhe mbi bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë të votave nga gjithsej numri i deputetëve. Nëse nuk formohet qeveri, mandati i kthehet presidentit, ndërsa i propozon partisë së dytë me numër më të madh të mandateve dhe procedura përsëritet.