Shkup, 17 korrik – Komuna e Çairit dhe Qendra për Arsim të të Rriturve për të tretën herë e realizojnë projektin për ngritjen e nivelit arsimor të qytetarëve. Gjithsej 272 kandidatë të moshës së rritur e përfunduan me sukses shkollimin e mesëm në SHMQSH “Cvetan Dimov”.
Komuna e Çairit në bashkëpunim me Qendrën për Arsim të të Rriturve, siç thuhet në kumtesën e komunës, të udhëhequr nga Lindita Qazimi mundësuan edhe këtë vit vazhdimësinë e projektit që u mundëson shumë të rriturve kryerjen me sukses shkollën e mesme duke ndikuar kështu në ngritjen e nivelit të përgjithshëm arsimor të qytetarëve dhe zgjerimin e perspektivës së tyre socio – ekonomike.
Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu i përgëzoi ata që u pajisën me diploma për përkushtimin e treguar në realizimin e këtij misioni që gjithmonë të këtë vullnet dhe frymëzim për dije e përparim.
Ndarjen e diplomave kreu i Çairit Ganiu dhe drejtoresha Lindita Qazimi e realizuan së bashku me ish-kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti – nismëtarin e realizimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm para disa viteve, ish-drejtorin e Shkollës së Mesme “Cvetan Dimov”, Shaip Zeneli, koordinatorin e projektit njëherësh këshilltar në Qytetin e Shkupit, Besnik Ajeti dhe drejtorin e Shkollës së Mesme “Cvetan Dimov”, Visar Durak.