Dibër, 10 dhjetor – Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dy Dibrat përfunduan projektin “Përshpejtojmë Zhvillimin e Bujqësisë” të financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Komunës Dibër, shkruan gazeta KOHA.
Pas dy viteve, aktiviteti përfundimtar i këtij projekti përfundoi në Peshkopi, ku në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” u realizua Panairi i agrobizneseve nga të dy anët e kufirit, të cilët gjatë zhvillimit të projektit, morën edhe certifikatat ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, asistimit me plane biznesesh, trajnime dhe strategji komunikimi e marketing me qëllim promovimin dhe rrjetin e eksporteve të produktit vendas në tregjet Europiane. Këto karakteristikat që ishin në fokus të projektit, tërësisht u realizuan, ka theksuar Fotjone Tace, përfaqësuese e CBS dhe menaxhere kryesore e këtij projekti.
Ajo tha se projekti që u realizua përfundon me sukses dhe shtoi se mbi 20 agrobiznese sot kanë produkte cilësore të cilët me certifikatat mund të plasojnë prodhimet e tyre bujqësore edhe në tregun e jashtëm. Sekretari i Komunës Dibër, Ylli Mirzo, në hapjen e Panairit tha se projekti që u ndihmua nga delegacioni Europian në Shkup ia arriti qëllimit. Ai shtoi se në këto treva, agrobiznesi ka një perspektivë të madhe meqë fermerët e kësaj ane kanë kushte shumë të volitshme për zhvillimin e agrobiznesit.
Në Panairin e Peshkopisë, agrobiznesi nga të dyja anët e kufirit prezantoi të gjithë llojet e djathit, mjaltit, frutave të pyllit, lëngjeve origjinale të prodhuara nga pemët e kësaj treve, gatimeve të ndryshme tradicionale, erëzave e tjerë. (koha.mk)