Ekipi New Orleans Pelicans i Ligës Amerikane të Basketbollit (NBA), do të emërojë Stan Van Gundy, si trajnerin e tyre të ri. “Stan Van Gundy ka rënë dakord për t’u bërë trajneri i ardhshëm i New Orleans Pelicans”, tha në Twitter gazetari i shquar i NBA-së, Adrian Wojnarowski, duke treguar që të dyja palët të mërkurën ranë dakord për një marrëveshje.
Van Gundy, 61-vjeçar, tha se është i entuziazmuar që do të jetë trajner i Pelicans. “Jam i entuziazmuar t’i bashkohem një ekipi të talentuar si New Orleans Pelicans. Mezi pres të flas me lojtarët tanë dhe të filloj procesin”, shkroi ai në Twitter. Van Gundy ka qenë trajner i Miami Heat, Orlando Magic dhe Detroit Pistons, por nuk ka qenë trajner që nga viti 2018 kur u nda nga Detroit. Van Gundy ishte trajner i Magic nga viti 2007-2012 kur ata mbërritën në Finalet e NBA-së 2009, por humbi nga Los Angeles Lakers me 4-1 në seri.