Reduktimi i pagave për shkak të pandemisë koronavirus është një temë që po diskutohet në të gjitha disiplinat sportive dhe kompeticionet e tyre. Edhe NBA-ja nuk bën përjashtim.
Drejtuesit e Ligës Amerikane të Basketbollit u kanë propozuar lojtarëve reduktimin e pagave të tyre në masën 50% duke nisur nga 15 prill, por Shoqata e Basketbollistëve të NBA-së është gati të pranojnë një reduktim të pagave të tyre me 25%.
Sipas asaj që publikohet në portalin ‘the Athletic’, të dyja palët kanë nisur diskutimet edhe në lidhje me veprimet financiare që do të ndërmarrin nëse sezoni i rregullt 2019-2020 nuk do të rinisë dhe këtu përfshihet mundësia e mbajtjes së 25% të pagave të mbetura të lojtarëve për t’u derdhur në një depozitë të NBA-së, transmeton TCH-ja, përcjellë gazeta KOHA.
Në këtë portal theksohet gjithashtu se nëse NBA-ja do të fillojë të anulojë ndeshjet, atëherë në mënyrë automatike do të aktivizohet klauzola në kontratat e skuadrave pjesëmarrëse, e parashikuar për ngjarje të jashtëzakonshme siç është pandemia koronavirus, që parashikon reduktimin e pagave me 1% për cdo ndeshje të anuluar të basketbollistëve.