NBA, përmes një komunikate për mediat, ka bërë me dije se janë regjistruar 11 raste të reja me Covid-19 mes basketbollistëve dhe stafeve drejtuese në 30 ekipet. Numër që tregon se koronavirus është ende i pranishëm në këtë sport, çka ka sjellë shtyrjen e 17 ndeshjeve deri më tani në NBA, që nga fillimi i sezonit. Të gjithë personat që kanë rezultuar pozitivë kanë përfunduar në karantinë. Për të parandaluar sa më shumë përhapjen e infektimeve.
Ndërkohë, për të evituar kontaktet e tepërta, NBA ka marrë një tjetër masë. Para ndeshjeve, gjatë kohës që lojtarët bëjnë nxehjen në parket, në mesin e fushës do të qëndrojnë disa bodyguard (truproja). Ata nuk do të lejojnë që lojtarët të përshëndeten me kolegët e ekipit tjetër, të takohen apo përqafohen. Gjatë nxehjes, lojtarët janë të detyruar të qëndrojnë në gjysmëfushën e tyre.