Rikthimi i Zinedine Zidane në krye të skuadrës së Real Madrid është shoqëruar edhe me rikthimin e portierit Keylor Navas në mbrojtjen e portës së Los Blancos, në formacion. Një debutim me fitore si për teknikun francez, ashtu edhe për portierin nga Kosta Rika, pasi Real Madrid triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Celta Vigo.
Titullar dhe protagonist kryesor në tre trofetë radhazi të Champions League me Real Madrid, pas largimit të Zidane dhe blerjes së belgut Thibaut Courtois nga Chelsea, portieri Navas nisi të ngrohë pankinën. Tashmë, me Zidane te rikthyer, Navas mund të festojë, duke shijuar sërish pozitat e titullarit te Real Madrid.
“Nuk do të flas për trajnerët e mi të mëparshëm. Tani jam me Zidane. Po them se personalisht, që në fillim, Zidane më ka thënë gjithmonë të vëretën. Unë nuk ja punoj askujt. Stili im është të punoj. Nëse më duhet të gjej një karakteristikë për të përshkruar Zidane, atëherë është sinqeriteti. Ai thotë gjithmonë të vërtetën”, deklaroi Navas i rikthyer titullar.