Bruksel – Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) ka reaguar ndaj provës së fundit raketore të Koresë së Veriut në orët e mëngjesit dhe ka bërë thirrje për “përgjigje globale” ndaj këtij vendi. “Përmes testimit bërthamor, Koreja e Veriut sërish shkeli me pakujdesi rezolutat e Kombeve të Bashkuara”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një deklarate në rrjetin social Twitter. Stoltenberg ka theksuar prova raketore e Koresë së Veriut paraqet rrezik të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. “Duhet të jepet një përgjigje globale”, ka thënë Stoltenberg. Ndryshe, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, Shtatmadhoria e Koresë së Veriut deklaroi se “Nga territori i Koresë së Veriut është lançuar një tjetër projektil balistik i cili është nisur nga rrethina e Phenianit në ora 06.57 sipas kohës lokale duke fluturuar mbi territorin e Japonisë për të rënë më pas në Oqeanin Paqësor. Më 29 gusht, Koreja e Veriut lançoi raketë balistike me rreze të mesme veprimi të tipit Hwasong-12, e cila kaloi mbi Japoni dhe ra në Oqeanin Paqësor. Ndërkaq, më 3 shtator, Koreja e Veriut kreu provën e gjashtë dhe më të fuqishme bërthamore që nga viti 2006. Pas kësaj prove, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi projekt-rezolutën e përgatitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e cila parashihte sanksione të reja ekonomike ndaj qeverisë së Phenianit.