Biznesi i ndërtimit në vend sugjeron se tani është koha për të investuar në patundshmëri për shkak se pas hyrjes në NATO pritet rritja e vlerës së pronave të patundshme .
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 tetor – Siguria që do të vinte nga anëtarësimi eventual i shtetit në Aleancën Veriatlantike, pritet që të shtrenjtojë çmimin e banesave në Maqedoni. Kompanitë ndërtimore thonë se hyrja në NATO do të stabilizojë tregun e patundshmërive, duke shtuar se edhe shtrenjtimi i materialeve ndërtimore në mënyrë shtesë ndikon në rritjen e kostos së ndërtimit të banesave. Kjo dëshmohet edhe përmes të dhënave statistikore , sipas të cilave vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti janë rritur harxhimet e materialeve për 6.4 për qind dhe të punëtorëve për 10.6 për qind në raport, me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA.
Në ndërkohë, biznesi i ndërtimit në shtet sugjeron se tani është koha për të investuar në patundshmëri për shkak se pas hyrjes në NATO, pritet rritja e vlerës së pronave të patundshme.
“Me vetë hyrjen në NATO pritet që të rritet edhe çmimi i banesave për shkak se ky anëtarësim nënkupton stabilitet. Pra kur kemi stabilitet, me siguri se edhe vlera e pronës është më e madhe. Andaj të gjithë që kanë blerë patundshmëri me vetë hyrjen e shtetin në Aleancën Veriatlantike do të fitojnë vlerë shtesë, ndërsa të tjerët që dëshirojnë të blejnë prona , tani është koha që ta bëjnë këtë hap, për shkak se çmimet tani janë më të pranueshme, ndërsa pas hyrjes ato do të shtrenjtohen. Pra, të gjithë që mendojnë në këtë drejtim apo kanë kursime, udhëzohen që të investojnë në patundshmëri për shkak se do të kenë përfitime, duke pasur parasysh faktin se realisht çmimet duhet të shtrenjtohen për së paku 20 për qind”, thotë Iviça Jaqimovski, kryetar i Odës së Ndërtimtarisë pranë Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë.
Statistika nga ana tjetër tregon se në mesatare çmimi i banesave është afër 700 euro. Megjithatë shpalljet e ndryshme tregojnë se diku shiten banesa edhe me dyfishin e këtij çmimi në varësi prej lokacionit si dhe pajisjes së banesës .
Sipas Entit të Statistikës së Maqedonisë, çmimi i banesave në vend në vitin e kaluar ishte 41.822 denarë apo 680 euro. Kjo paraqet një çmim për 3 për qind më të ulët në raport me vitin 2016.
Në Shkup, si kantierin më të madh të ndërtimit në Maqedoni dhe tregun kryesor të shitblerjes së banesave, një metër katror në mesatare në vitin 2017 shitej së paku sipas statistikës zyrtare me një çmim prej 43 710 denarë apo 710 euro që është për 14 për qind më pak në raport me vitin 2016. Në vendbanimet e tjera në Maqedoni në mesatare, një metër katror shitej me 32 001 denarë apo 520 euro që është për 2.2 për qind në pak se në vitin 2016.
Në ndërkohë, analizat e fundit të Agjencisë së Kadastrës tregojnë se mbi 5000 banesa në Maqedoni janë të pa shitura, ndërsa po vijon ndërtimi i 10.500 banesave që duhet të vendosen në shitje. Analizat e kadastrës më tej tregojnë se në tre muajt e parë të këtij viti në totalin e shitblerjes së patundshmërive dominojnë pronat e vjetra me 4400 marrëveshje për shitblerje, ndërsa janë shitur edhe 700 banesa të reja. Ndër lokacionet më atraktive për blerjen e banesave mbeten komunat Aerodrom dhe Karposh në Shkup, ndërsa është rritur edhe numri i banesave të shitura në tre muajt e vitit 2017 në Tetovë dhe Kumanovë. (koha.mk)