Si përfitime indirekte për ekonominë e Maqedonisë nga integrimi në NATO janë siguria dhe stabiliteti më i madh në treg, interesi i shtuar për investime direkte nga jashtë, interes më i madh për investime nga vendet anëtare të NATO-s si dhe interesimi për lidhje të subjekteve të bizneseve të huaja me ato vendore dhe hapje të filialeve të tyre në vendin tonë
Zejnulla VESELI
Shkup, 20 korrik – Integrimi i Republikës së Maqedonisë në NATO është i rëndësisë së veçantë për stabilitetin dhe paqen në vetë Bashkimin Evropian dhe për vetë anëtaret e NATO-s sidomos në aspektin ekonomik. Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi thotë se me hyrjen në NATO, Republika e Maqedonisë do të fitojë bazë të sigurt për zhvillim të shpejtë ekonomik.
“Kjo do të ritë kapacitetet e Maqedonisë të mobilizojë resurset e veta për zhvillim. Nuk ekziston proces politik i cili nuk ka implikacione ekonomike, dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme për integrimin e një vendi në formacionin mbrojtës më të fuqishëm në botë”, thotë Besimi. Nga aspekti ekonomik, integrimi i Maqedonisë në NATO nuk paraqet një barë të madhe për BE-në, me një treg prej rreth 500 milion banorë.
“Duhet të aplikohet motoja “investimi në siguri që të arrihet siguria e investimeve”. Integrimi në NATO ka ndikim pozitiv direkt dhe të matshëm mbi zhvillimin e infrastrukturës si rrugëve, hekurudhave, komunikimet dhe sistemet bartëse energjetike. Dobia nga anëtarësimi në NATO shihet qartë në vendet e Ballkanit Perëndimor të cilët pesë vitet e fundit ka realizuar investime të huaja me shuma që tejkalonë shifrën me miliarda euro. Anëtarësimi në NATO nuk do ta lëviz Republikën e Maqedonisë nga Ballkani, por do ta ruaj nga ‘ballkanizimi’”, thotë Besimi.
Në pyetjen se cilat janë efektet pozitive nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, Besimi potencoi se në radhë të parë është rritje e sigurisë individuale për bizneset e huaja dhe vendore “Si efekte pozitive do të kisha veçuar, përmirësim të infrastrukturës ushtarake dhe civile rrugë, rrejte komunikimi, aeroporte, rritje të punësimit, teknologji dhe njohuri të reja”, thotë Besimi. Si benefite indirekte për ekonominë e Maqedonisë nga integrimi i vendit në NATO sipas besimit janë siguria dhe stabiliteti më i madh në treg, interesi i shtuar për investime direkte nga jashtë, interes më i madh për investime nga vendet anëtare të NATO-s si dhe interesimi për lidhje të subjekteve të biznesit dhe hapje të filialeve të tyre në vendin tonë.
“Dobi direkte për ekonominë e Maqedonisë nga integrimet euro-atlantike janë sigurimi i kornizës institucionale për inkuadrim në ekonominë kombëtare për realizimin e projekteve lidhur me NATO-n në infrastrukturë, prodhimtari, teknologji, shkencë, logjistikë, infrastrukturë mbrojtëse. NATO ka për detyrë të nxis bashkëpunimin ekonomik midis subjekteve tregtare, rritje të nivelit teknologjik të ekonomisë kombëtare si dhe nxitje të partneriteteve me firma nga vendet anëtare të NATO-së të cilat prodhojnë për NATO-në”, thotë Besimi.
Gjithashtu ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi thotë se hapet mundësi për lidhje strategjike të kapaciteteve nga të gjitha degët e ekonomisë së Maqedonisë me kërkesat nga NATO. “Efektet nga anëtarësimi në NATO janë politike dhe ekonomike, apo stabilitet më të madh politik dhe rritje më të madhe ekonomike, perspektiva të përmirësuara për standard jetësor më të mirë”, thotë Fatmir Besimi ish ministër i Mbrojtjes. Ndërkohë, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, shprehet se me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO priten rritje të mëdha të investimeve të huaja direkte. Sipas ministrit Tevdovskit përvojat nga vendet e tjera tregojnë rritje të madhe të investimeve të drejtpërdrejta të huaja pas hyrjes në Aleancën e NATO-s.
“Nëse merret parasysh mesatarja nga pesë vite para dhe pas anëtarësimit të fqinjëve tanë Bullgaria dhe Shqipëria, shihet rritje e disahershme e investimeve të huaja. Në Bullgari, investimet e drejtpërdrejta të huaja, analizuar pesë vite para dhe pas hyrjes në NATO, janë thuajse tre herë më të larta, respektivisht 7 për qind në 19,8 për qind nga BPV-ja. Në Shqipëri janë dyfish më të larta, ose nga 5 për qind në 9 për qind nga BPV edhe atë në kohë të krizës ekonomike botërore. Do të thotë, efektet mund të ishin edhe më intensive. Në Rumuni, gjithashtu ka rritje të lartë prej 2,8 për qind në 7,2 për qind pas hyrjes në NATO, në Çeki prej 3,2 për qind në 7,7 për qind, në Estoni prej 7,5 për qind në 13,5 për qind. Kjo është ardhje e kapitalit të freskët, që krijon fabrika të reja, kapacitete të reja prodhuese, vende të reja pune, prodhime të reja,”, thotë Tevdovski. Ai njëherit u shpreh se stabiliteti dhe statusi ndërkombëtar që i sjell anëtarësimi në NATO, ndikojnë në vendimet e investimeve, si tek investuesit vendor, ashtu edhe të jashtëm. Në vendet e reja anëtare të NATO-s thekson Tevdovski vërehet rritje edhe e nivelit të investimeve të përgjithshme kështu që, në vendet që u anëtarësuan në NATO në vitin 2004, pjesëmarrja mesatare e bruto-investimeve në BPV janë rritur nga 25 për qind në periudhë pesëvjeçare para anëtarësimit në 31 për qind në periudhën pesëvjeçare pas anëtarësimit.
“Biznesi tek ne kërkonte anëtarësim në NATO dhe kjo është e logjikshme. Vendi do të ketë status më të mirë ndërkombëtar, do të jetë në shoqëri me vendet më të zhvilluara. Për bizneset do të jetë shumë më lehtë të hyjnë, të vendosin lidhje dhe të tregtojnë pas hyrjes në NATO. Në vendet të cilat u anëtarësuan në NATO në vitin 2004, rritja mesatare e eksportit është rritur për 6,8 për qind në periudhën para anëtarësimit në NATO në 11,8 për qind në periudhën pas anëtarësimit në NATO”, thotë Dragan Tevdovski, ministër i Financave. (koha.mk)