Bruksel, 20 janar – NATO-ja dhe Bashkimi Evropian i gëzohen bashkëpunimit të ardhshëm me presidentin e sapozgjedhur, Xho Bajdën për përforcimin e lidhjeve me SHBA-në, theksoi mbrëmë sekretari i përgjithshëm i Aleancës.
“Me padurim presim të punojmë me presidentin e sapozgjedhur Xho Bajdën për përforcimin e lidhjeve amerikano-evropiane në kohën kur po përballemi me sfida globale me të cilat askush prej nesh nuk mund të përballet vetë”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në profilin e tij në Tuiter pas darkës së punës me kryetarin e Këshillit evropian, Sharl Mishel, një ditë para inaugurimit të presidentit amerikan.
Ministri evropian për punë të jashtme, Zhozep Borel gjithashtu mori pjesë në takimin treorësh, organizuar me nismë të Sharl Mishel.
Stoltenberg e ftoi Bajdënin të marrë pjesë në samitin e NATO-s, për të cilin ende nuk është caktuar datë. Mishel i propozoi edhe presidentit amerikan të organizojë takim të posaçëm për të me të gjithë liderët e BE-së.
NATO dhe institucionet evropiane janë me seli në Bruksel, ndërsa ideja është që ato dy takime të organizohen njëkohësisht, deklaroi një burim diplomatik. Njëzet nga 27 vendet-anëtare të BE-së janë gjithashtu anëtare të Aleancës.