Bruksel, 2 prill – Maqedonia e Veriut sot mori pjesë në takimin e saj të parë ministror si anëtare e plotfuqishme e Aleancës së NATO-s, takim ministror që u mbajt përmes video-lidhjes së sigurt mes tridhjetë ministrave të jashtëm të NATO-s dhe sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg, transmeton gazeta KOHA.
Stoltenbergu sërish përshëndeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, edhe atë në kohë të krizës dhe theksoi se kjo paraqet sinjal të rëndësishëm edhe për rajonin edhe për Aleancën.
– Kjo tregon se në kohëra të pasigurta duhet t’i forcojmë institucionet multilaterale, sfidat globale kërkojnë përgjigje globale, dhe kriza me Kovid-19 këtë e ka treguar qartë, deklaroi shefi i Aleancës.
Temë kryesore e bisedimeve siç pritej ishte kriza shëndetësore me korona virusin në mbarë botën, për të cilën mobilizohen edhe kapacitetet ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s, për koordinimin e përpjekjeve, transport të pacientëve, dhe sigurim të pajisjes mjekësore për ndihmë të parë.
– Personeli ushtarak u ndihmon aleatëve me transport mjekësor, evakuim, transport të pacientëve, sqaroi Stoltenbergu.
Përpjekjet koordinohen përmes Qendrës koordinuese të Aleancës, ndërsa më shumë vende tashmë në vepër e kanë treguar në vepër bashkëpunimin, përmes mobilizimit të kapaciteteve ajrore për transport, mes tjerash.
Komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Vollters, ka për detyrë të ndjekë situatën dhe të identifikojë nevojat në vendet, të sigurojë se pajisje mjekësore dërgohen dhe të ndihmojë në bashkimin e vendeve që kanë nevoja të caktuara me ato vende që i kanë në dispozicion.
Është e qartë se jo të gjitha vendet që janë prekur gjenden në fazën e njëjtë të krizës, e as që kanë nevoja të njëjta, e as pikun e pandemisë do ta presin në të njëjtën kohë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të koordinohen vazhdimisht përpjekjet për të lehtësuar transportin e pacientëve dhe dërgesën e materialeve .
Nga mesi i prillit do të mbahet takim i ri ministror, këtë herë i ministrave të mbrojtjes të NATO-s për të rishikuar mbështetjen nëse kjo është e nevojshme dhe për të filluar me vlerësimin e implikimeve afatgjate të kësaj krize globale shëndetësore, porositi sekretari i përgjithshëm.
Aleatët e NATO-s kanë biseduar edhe për sfidat tjera të sigurisë me të cilat përballen si Rusia, Afganistani, Iraku dhe lufta kundër terrorizmit.
Shefi i Aleancës pohon se NATO vazhdon të punojë me kapacitet të plotë në të gjitha fushat përkundër krizës.(koha.mk)