“Matjet e ‘efektit NATO’ nga viti 2016, tregojnë se 26 shtete anëtare kanë përfituar efekte të shumta afatshkurtra dhe afatgjate siç janë rritje e PBB-së për një herë e gjysmë, rritje për tre herë e investimeve të huaja, ulje për tre herë e papunësisë, rritja e jetëgjatësisë së pritshme, si dhe përmirësimin e integrimit rajonal”, thonë nga Instituti për politikë Evropiane
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 shkurt – Përvojat e shteteve të rajonit tregojnë se pas anëtarësimit të tyre në NATO, janë rritur investimet e huaja. Vlerësohet se hyrja e Maqedonisë në NATO do të lëvizë ekonominë dhe rrit gjasat që shteti të jetë më tërheqës për investitorët e huaj. Përvojat e shteteve të reja anëtare tregojnë rritje të përqindjes së investimeve të huaja në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në Shqipëri është shënuar rritje prej 3.72 në 9.12 për qind, në Bullgari prej 3.36 për qind në 12.06 për qind , ndërsa në Hungari prej 6.23 në 9.88 për qind e kështu me radhë. Edhe në rastin e Malit të zi shënohet rritje e investimeve të huaja për gati 150 për qind më shumë në raport me vitet para anëtarësimit të këtij shteti në NATO, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, ekspertët ekonomik thonë se Maqedonia e Veriut pas zgjidhjes së çështjes së emrit dhe hapjes së dyerve së NATO-s, nevojitet që të hapë edhe negociatat për anëtarësim në BE, që të jetë më serioze dhe më këmbëngulëse në realizimin e reformave që kërkohen nga biznesi. Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, nuk ka dilemë se anëtarësimi në NATO do të ndikojë pozitivisht në vendimet e investitorëve të huaj që të investojnë tek ne, mirëpo sipas tij efekti i do të ishte edhe më i madh nëse si shtet i kryejmë detyrat e shtëpisë.
“Edhe përvojat e shteteve tjera tregojnë rritje të investimeve të huaja pas anëtarësimit në NATO, mirëpo të mos harrojmë se si shtet nuk kemi dalje në det, akoma nuk e kemi modernizuar rrjetin rrugor dhe të hekurudhës për transport , apo me fjalë të tjera akoma nuk i kemi përfunduar autostrada në drejtim të Shqipërisë dhe Bullgarisë, firmat do të fitojnë energjens të lirë si gazi pas disa vitesh, kemi problem me fuqinë punëtore , apo nevojitet të krijohet një administratë më efikase etj”, thekson Turkeshi. Sipas tij, qeveria e re nevojitet të tregojë një vendosmëri dhe përkushtim më të madh në drejtim të asaj që nënkupton siguri juridike në shtet, zgjidhjen më imediate dhe efikase të mungesës së fuqisë punëtore të përgatitur që menjëherë të fillojë të punojë dhe që po kërkohet nga ana e investitorëve si vendor ashtu edhe të huaj etj.
“Si shtet kemi edhe një konkurrencë të madhe në tërheqjen e investimeve të huaja ku për shembull Serbia po ofron kushte edhe më të mira për investime se ne, Shqipëria ka qasje në det dhe është anëtare e NATO-s, ndërsa Mali i Zi ka shfrytëzuar bregdetin detin për të joshur investitorët të investojnë për shembull në resortin Porto Nova afër Herceg Novi ku deri tani janë investuar mbi 500 milion euro, ndërsa deri në fund do të investohet afër një miliardë “, thekson më tej Turkeshi. Ai shton më tej se anëtarësimi në NATO do të ulë edhe më tej rrezikun nga paqartësia politike dhe do të ndikojë në mënyrë shtesë tek kompanitë e huaja që të shqyrtojnë më shumë mundësitë dhe potencialet për të investuar në Maqedoninë e Veriut. Në ndërkohë, ekonomistët vlerësojnë se rezultatet ekonomike janë në përputhje direkte me mundësinë që shteti të sigurojë siguri afatgjate dhe stabilitet, ndërsa këto faktorë ndikojnë si tek afaristët vendorë ashtu edhe tek rritja e besimit të investitorëve të huaj.
Në ndërkohë, analizat e institutit EPI, tregojnë se shtetet anëtare pas hyrjes në NATO shënojnë rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rritje të investimeve të huaja, ulje të papunësisë si dhe zhvillim të sektorit privat. “Matjet e ‘efektit NATO’, nga viti 2016 tregojnë se 26 shtete anëtare kanë përfituar efekte të shumta afatshkurtra dhe afatgjate siç janë rritje e PBB-së për një herë e gjysmë , rritje për tre herë e investimeve të huaja, ulje për tre herë e papunësisë , rritja e jetëgjatësisë së pritshme si dhe përmirësimin e integrimit rajonal”, thonë nga Instituti për politikë Evropiane. Nga atje shtojnë se Rumunia ka rritur PBB për 213 për qind për pesë vite, Shqipëria e ka rritur për 51 për qind për pesë vite, ndërsa Kroacia e ka rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto për 34 për qind. Gjithashtu edhe Mal i zi shënon rritje të PBB-së në nivel vjetor për 9 për qind. (koha.mk)
INVESTIMET E HUAJA
2019 janar-shtator- 131.3 milionë euro
2018 – 624 milionë euro
2017 – 181.8 milionë euro
2016 – 338 milionë euro
2015 – 216 milionë euro
2014 – 205 milionë euro
2013 – 252 milionë euro
2012 – 111,22 milionë euro
2011 – 344,41 milionë euro
2010 – 160,47 milionë euro
2009 – 144,97 milionë euro
2008 – 399,89 milionë euro
2007 – 505,97 milionë euro
2006 – 344,82 milionë euro
2005 – 77,21 milionë euro
2004 – 260.67 milionë euro
2003 – 100.41 milionë euro