Turqia duhet të mbetet në NATO, pavarësisht krizës mes saj dhe një sërë vendeve evropiane, por aleatët nuk duhet t’i neglizhojnë as oponentët e pushtetit turk, deklaroi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Lajen.
“Turqia nuk e lehtëson detyrën tonë në NATO”, pranoi Fon der Lajen, derisa Ankaraja tashmë dy javë proteston kundër ndalesës në Evropë që ministra të saj të marrin pjesë në mitingje, me të cilat mbështetet presidenti Rexhep Taip Erdogan, para diasporës turke. “Askush megjithatë nuk duhet të mendojë se një Turqi jashtë NATO-s do ta dëgjonte më shumë zërin tonë ose më lehtë do të komunikonte me ne, sesa Turqia, që do të mbetet në NATO”, paralajmëroi ministrja gjermane e Mbrojtjes.
Fon der Lajen, e cila është pjesë e të gjitha qeverive të kancelares Angela Merkel gjatë 11 vjetëve, konsideron gjithashtu se mbajtja e Turqisë në NATO është sinjal, i orientuar drejt oponentëve të presidentit turk. “Nuk duhet t’i neglizhojmë as numrin e madh të turqve, që nuk dëshirojnë të zgjerohen kompetencat e presidentit në referendum më 16 prill”, shtoi ajo.