NATO si aspiratë është edhe zgjatim i ideve europianiste të shumë ideologëve, shkrimtarëve, politikanëve të persekutuar nga regjimet e kaluara dhe ky akt i djeshëm është edhe një mirënjohje për ato aspirata. Por, mbi të gjitha është aspiratë shekullore e rilindësve shqiptarë për të cilët “Dielli lind në Perëndim” dhe ata fatin e ekzistencës dhe mbijetesës së kombit shqiptar e kishin lidhur me vlerat civilizuese Perëndimore, ku bën pjesë edhe NATO
Nga Emin AZEMI
Protokolli për Anëtarësim të Maqedonisë në NATO që u nënshkrua dje në Bruksel hap perspektiva jo vetëm sigurie, por edhe gjeopolitike për rajonin. Nëse gjatë Luftës së Ftohtë NATO perceptohej ekskluzivisht si organizatë ushtarake, sot ajo nga shumë kush përjetohet edhe si vlerë që bashkon diversitet kulturore e politike brenda një sigurie kolektive.
Maqedonia tejkaloi pengesat për të qenë pjesë e kësaj organizate të fuqishme Veriatlantike dhe kjo nuk u arrit lehtë. Shumë liderë politikë e ëndërruan këtë ditë, mirëpo jo të gjithë e kishin fatin e politikanëve aktual për të qenë dëshmitarë të këtij akti madhështor. Dilemat e shumta që ishin në të kaluarën se kah duhet të shkojë Maqedonia, e që ishin të imponuara nga jashtë, prej dje u qartësuan. Kjo pjesë e Ballkanit Perëndimor përfundimisht doli nga influenca ruse, kurse banorët e saj në të ardhmen pritet t’i gëzojnë frytet e këtij aderimi.
Është humbur shumë kohë dhe ata që udhëhoqën vendin taktizonin me durimin e Perëndimit, por edhe me ndjenjat e qytetarëve, duke I mashtruar këta të fundit se kauzat e pambaruara kombëtare ishin më prioritare se anëtarësimi në NATO. Në fakt, tash po dëshmohet se një vend i vogël si Maqedonia, nuk ka pasur as edhe shansin më të vogël që të qëndrojë si ishull në këtë pjesë të Europës Juglindore, poqese nuk do të projektonte politika të tjera që do ta nxirrnin të tashëm dhe të ardhmen nga ky ishull.
Integrimi në NATO nuk është një mekanizëm çudibërës që ti zgjidhë problemet disa vjeçare brenda natës. Parasegjithash zhvillimi ekonomik, kultura e punës, sundimi I së drejtës, mbrojtja e ambientit janë parasegjithash ‘detyra shtëpie të vetë qytetarëve dhe politikanëve, pa të cilat nuk mund të imagjinohet përfshirja në integrime euro-atlantike.
Shqiptarët mund të jenë me fat që edhe pse vonë, megjithatë po bëhen pjesë e një familje më të madhe ku siguria kolektive dhe vlerat perëndimore janë të pacenuara. Zatën orientimi I shqiptarëve ndaj këtyre vlerave asnjëherë s’ka qenë i kontestuar, por jo gjithmonë ky orientim properëndimor i tyre është shpërblyer nga politika por edhe nga diplomacia ndërkombëtare. Megjithatë, shqiptarët në këtë rrugëtim të gjatë, arritën të nxjerrin në pah gjithë atë energji kreative që e kishin kultivuar me dekada, duke demonstruar në praktikë se i takojnë civilizimit Perëndimor, ty ku edhe kishin qenë gjithmonë.
Me Protokolli për Anëtarësim të Maqedonisë në NATO mbyllet një kapitull i përpjekjeve shumëvjeçare ë për t’iu bashkangjitur asaj pjese të botës e cila shumë më herët kishte krijuar standarde për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të njerëzimit. NATO si aspiratë është edhe zgjatim i ideve europianiste të shumë ideologëve, shkrimtarëve, politikanëve të persekutuar nga regjimet e kaluara dhe ky akt i djeshëm është edhe një mirënjohje për ato aspirata. Por, mbi të gjitha është aspiratë shekullore e rilindësve shqiptarë për të cilët “Dielli lind në Perëndim” dhe ata fatin e ekzistencës dhe mbijetesës së kombit shqiptar e kishin lidhur me vlerat civilizuese Perëndimore, ku bën pjesë edhe NATO.
Prandaj, NATO për Maqedoninë dhe për shqiptarët është një ftesë solemne për të qenë bashkëfamiljar të ideve e vlerave që iu kanë mbijetuar barbarive të ndryshme. (koha.mk)