Partitë ti përgatitin listat me kandidatë për zgjedhjet e 12 prillit të vitit 2020, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke shtuar se pret që deri në shpërbërjen e Parlamentit të përfundon ratifikimi i anëtarësimit të vendit në NATO. Nga VMRO DPMNE dhe opozita shqiptare nuk shohin arsye se pse duhet të shtyhen zgjedhjet
Destan JONUZI
Shkup, 4 nëntor – Kryeministri Zoran Zaev pas hapjes së dilemës se a do të shtyhen zgjedhjet parlamentare të dakorduara për 12 prill të vitit të ardhshëm, së fundmi ka deklaruar se partitë duhet që ti hartojnë listat me kandidatë për deputet. Ai ka theksuar se pret që e gjithë proceduara rreth ratifikimit të anëtarësimit të vendit në NATO të përfundon deri më 11 shkurt të vitit 2020 kur edhe duhet të shpërbehet Parlamenti. “Të gjitha projeksionet që i kemi bërë janë se zgjedhjet do të mbahen me 12 prill, ka ngelur vetëm Spanja, e cila më 10 nëntor ka zgjedhje parlamentare, ndërsa ka caktuar mbledhje konstituive të Parlamentit më 3 dhjetor. Kjo nënkupton se gjithë muajin dhjetor e kemi përpara, janarin, dhe dhjetë ditë nga shkurti, kështu që ka mjaftueshëm kohë që të ratifikohet protokolli” ka deklaruar kryeministri Zaev.
Ndërkohë, dilema u hap për shkak të ratifikimit të protokollit nga Parlamenti i Maqedonisë, dokument i cili pasi që të ratifikohet në të gjitha vendet anëtare të NATO-s, duhet ta ratifikojë edhe shtëpia ligjvënëse e vendit që anëtarësohet, kështu që nëse procedura përfundon pas shpërbërjes së Parlamentit në shkurt nuk do të ketë mundësi për ratifikim. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, nga ana tjetër javën e kaluar ka deklaruar se ekziston mundësia që kur Parlamenti të jetë shpërbërë, të thirret përsëri nëse është e nevojshme për tu ratifikuar Protokolli për anëtarësim në NATO. “Nuk presim zhvendosje të datës së zgjedhjeve, por njëkohësisht dërgojmë porosi se duhet ti dimë përgjegjësitë ndaj shtetit, ashtu siç ishim të përgjegjshëm që të shpallim zgjedhje të parakohshme… Të gjithë duhet të mbajmë llogari për interesat e shtetit”, thotë Zaev.
Ndërkohë, partneri shqiptarë në koalicionin Qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerëson se NATO është kauza më e madhe për vendin sesa zgjedhjet e parakohshme, kështu që sipas tyre në rast se për këtë kauzë të madhe nevojitet shtyrje e zgjedhjeve nuk ka asnjë arsye që të mos shtyhen. “Në qoftë se vonohet Spanja, ne do të detyrohemi që t’i shtyjmë zgjedhjet të cilët i dakorduam në takimin e liderëve. Ne marrëveshjen e kemi të liderëve me insistimin tonë që Maqedonia mund të shkojë në zgjedhje vetëm pas anëtarësimit në NATO. Nuk mund të rrezikojmë që të gjithë vendet ta kenë të ratifikuar protokollin në parlamentet e tyre e ne të mbetemi pa parlament”, thonë për KOHA nga BDI, duke shtuar se partia e tyre është e gatshme për ti hyrë garës zgjedhore kurdo që të mbahen zgjedhjet. Nga VMRO-DPMNE-ja, nuk shohin arsye pse duhet të shtyhen zgjedhjet. “Nuk shohim arsye pse duhet të shtyhen zgjedhjet e planifikuara për 12 prill të vitit 2020. Në pajtueshmëri me procedurat e Parlamentit, kryeparlamentari do të vendos nëse në mënyrë plotësuese mund të mblidhen deputetet pasi të jetë shpërbërë Parlamenti për ta ratifikuar Protokollin për anëtarësim në NATO”, thonë për KOHA nga VMRO-DPMNE.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) është që zgjedhjet të mbahen më 12 prill të vitit 2020. “Nuk ka për se të shtyhen zgjedhjet. Kjo dilemë të shtyhen apo jo zgjedhjet, mund të lexohet si frikë e pushtetit nga zgjedhjet”, ka deklaruar kreu i ASH-së, Ziadin Sela në intervistën e tij të fundit për Knal5. Edhe nga Lëvizja BESA e Bilall Kasamit thonë se data përfundimtare për mbajtjen e zgjedhjeve është 12 prill 2020, datë kjo e dakorduar nga gjithë liderët e partive politike në vend. “Deklaratat e eksponentëve të disa partive politike janë shenja se ata i ikin përballjes në zgjedhje. Sa i përket ratifikimit të protokollit për anëtarësim në NATO, në takimin e liderëve fakti se Spanja mund të bënte ratifikimin në dhjetor ose janar ishte shkak që në vend se data për zgjedhje të parakohshme të caktohet për në fund të dhjetorit, të shtyhet me datën e 12 prillit. Përvoja nga e kaluara ka dëshmuar që ekziston bazë juridike, për situata urgjente ose jashtëzakonshme, parlamenti i shpërbërë të mblidhet përsëri dhe të votoi për pranimin e deklaratës së ratifikimit”, deklaroi për KOHA, Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.
Megjithatë, kryeministri Zoran Zaev dhe partia më e madhe shqiptare në pushtet BDI, thonë se mbi gjitha është që shteti të jetë funksional me qëllim që të miratohet vendimi i rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Ndërkaq, kryeministri Zaev ka theksuar se 12 prilli duhet të mbahet si datë për zgjedhjet, por përsëri mbetet mundësia e hapur për çfarëdo lloj ndryshime për shkak të NATO-s. (koha.mk)