Bruksel, 29 qershor – Pas konfuzionit i cili mbizotëronte në opinion rreth procedurës për anëtarësimin e Maqedonisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg sot i shpjegoi hapat pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev. Një referendum i suksesshëm për Marrëveshjen me Greqinë mbetet kushti kyç, por Maqedonia tanimë ka marrë pjesë në të gjithë takimet e NATO-s edhe para anëtarësimit të plotfuqishëm.
Në Samitin vijues më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, Maqedonia do të marrë ftesë për fillimin e negociatave për inkuadrim me Aleancën, ky është kusht i pashmangshëm përmes të cilit kanë kaluar të gjitha vendet-anëtare paraprake, shpjegoi Stoltenberg.
“Jam i bindur se shefat e shteteve dhe qeverive do ta ftojnë IRJM-në të fillojë negociata për inkuadrim, pastaj disa muaj do të kemi negociata për inkuadrim dhe në qoftë se proceset e brendshme janë finalizuar në vend, atëherë mund të inkuadroheni në NATO”, tha sekretari i përgjithshëm.
Pas përfundimit të negociatave për inkuadrim do të nënshkruhet Protokoll për inkuadrim i cili pastaj duhet të ratifikohet nga parlamentet e të gjithë vendeve-anëtare të NATO-s. Ky proces i ratifikimit është ai i cili merr më shumë kohë.
“Kohëzgjatja varion pak, por mund t’ju jap dy shembuj”, tha Stoltenberg.
Për Malin e Zi, shpjegoi ai, ftesa për fillimin e negociatave është dhënë në dhjetor të vitit 2015, negociatat janë finalizuar në mars të vitit 2016, ndërsa pastaj të gjitha 28 vendet-anëtare e kanë ratifikuar Protokollin deri në qershor të vitit 2017.
“Ajo që merr kohë është në fakt ratifikimi në vendet e ndryshme anëtare”, shpjegoi njeriu i parë i NATO-s.
Shqipëria dhe Kroacia, madje, u ftuan në prill të vitit 2008, ndërsa u inkuadruan në prill të vitit 2009, një vit më vonë.
“Flasim për diçka si një vit e gjysmë nga ftesa deri te anëtarësimi i plotfuqishëm. Por, sapo ta nënshkruajmë Protokollin për inkuadrim, që zgjat disa muaj, tre muaj për Malin e Zi, atëherë vendi do të ftohet që të marrë pjesë në të gjitha takimet e NATO-s dhe do të ulet në tryezë dhe do të jetë pjesë e Këshillit të NATO-s. Mali i Zi filloi të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e NATO-s në mars të vitit 2016, vetëm tre muaj pasi filluan negociatat për anëtarësim”, tha Stoltenberg.
Siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, Stoltenberg theksoi se procesi mund të shkojë shumë shpejtë, por për këtë është e domosdoshme që të përfundojnë të gjithë procedurat rreth Marrëveshjes me Greqinë.
“Kjo do të thotë se ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë duhet të bëhen dhe pastaj mundemi ta ftojmë vendin që të inkuadrohet me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut. Me të vërtetë shpresoj se populli në vendin tuaj nuk do ta lëshojë këtë rast, ky është rast historik”, porositi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Në qoftë se referendumi nuk ka sukses Maqedonia nuk do të bëhet anëtare e NATO-s, përkujtoi Stoltenberg.
“Është vështirë të mendohet, në qoftë se hidhet poshtë ky rast, situata ku do të ishim aq shumë afër anëtarësimit në NATO. Populli i IRJM-së duhet të vendosë, por jemi të gatshëm të ftojmë dhe ta bëjmë këtë sa më shpejt që mundet, flasim për disa muaj”, theksoi Stoltenberg.
Sekretari i përgjithshëm nuk dëshiroi t’i komentojë obstruksionet e presidentit Ivanov, dhe porositi se do t’i lihet shtetit që të vendosë se si do të zhvillohen procedurat dhe se si do të finalizohet Marrëveshja me Athinën.