Botërisht dihet kush e mban monopolin e informacionit në Ballkan, kush i sundon mediat dhe kush e sundon Ballkanin. Prandaj, NATO si hapin e parë duhet ta bëjë zaptimin dhe sundimin e informacionit. Kush e mban monopolin e informacionit e sundon Ballkanin. Informacioni është arma dhe vegla e vetme që ushtron paqen gjegjësisht luftën në këto troje. Sepse, Ballkani sado që të neglizhohet, përbuzet dhe injorohet nga Europa, megjithatë ndikon fuqishëm në lëvizjet tektonike dhe plasaritjet e përçarjet në Bashkimin Europian
Nga Shaqir ISLAMI
NATO ka halle dhe telashe me anëtarët e vet në Ballkan. Dhe, do ketë telashe përgjithmonë. Me këtë sëmundje të ‘ballkanleaksit’, do vuaj kronikisht. Mbase Ballkani është një udhëkryq tepër i ngatërruar dhe i ngarkuar vaktile, meqë ka qenë dhe është një Bitpazari madh i informacionit. Qysh në lashtësi informacioni ka qenë një mall i vlefshëm për tregti dhe pazarllëqe politike. Këtu, shitblerja e këtij malli është shndërruar në një industri të vërtetë. Shumë, shumë familje merren me tregtimin e informacionit gjithandej dhe për këdo që ka nevojë për të.
Shkak i këtij teksti është njoftimin e gëzueshëm në media të deputetit dhe funksionarit të lartë të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovskit, i cili para do kohe u përfol se paskësh kryer vepra kriminale në Gjermani, për vjedhje dhe falsifikime (!!??). Ky politikan që ka ushtruar funksione të larta në shtetin tonë, bile ka qenë edhe ministër i punëve të jashtme (ndërsa akuzohet si hajdut dhe falsifikues nga Gjermania (!!!) njofton me vet-kënaqësi të turpshme nga Velesi gjoja se, ‘NATO nuk u paskësh lëshuar ‘vërtetimin e sigurisë’ dy ministrave të Qeverisë aktuale.
Ky akt i mosdhënies së ‘vërtetimeve të sigurisë’, do të thotë se organizata nuk ka besim, ose thënë ndryshe, këta persona janë shërbyes të ndonjë agjencie ose organizate që janë dushmanë të NATO-s. Pra, ta them troç, këta nuk janë individë të besueshëm dhe nuk mund të kenë qasje në informacionet e klasifikuara të NATO-s. Atëherë, shtrohet pyetja, si do bashkëpunohet dhe si do zhvillohet ortakllëku mes nesh? Mosbesimi është pengesa për bashkëpunim të frytshëm midis palëve.
Pra -siç e thotë me gojën plotë politikani i lartë i VMRO-DPMNE-së dhe i shtetit Antonio Milloshovski – NATO në vendin tonë gjendet në një mjedis moçali shumë të ndotur dhe armiqësor për sa i përket informacionit. Në Ballkan spiunllëku është zanat i trashëguar brez-pas-brezi. Ky zanat është mënyra e të mbijetuarit pa djersë të familjeve me kurriz të thyer dhe fytyrë të njollosur.
Përmes kësaj “të mete të vockël morale” janë ndërtuar karriera -e -karriera, … janë blerë tituj politikanësh, gazetarësh, gjyqtarësh, prokurorësh, doktorësh, akademikësh, hoxhallarësh, priftërinjsh … e deri tek shoferë autobusësh e konduktorë trenash. Spiunllëku në mjedisin tonë është aq i përhapur, sa që është vështirë të gjesh ndonjë që nuk është në shërbim të ndonjë agjencie për qarkullimin e informacionit. Sa që, mund të gjenden edhe të tillë që e bëjnë vetëm për sport !!!
Në librin “Propaganda dhe të Bindja”, dy autorët G. S. Jowett dhe V. O’Donnell, tregojnë një mesele që paskësh ndodhur në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Kur bota qe e ndarë me perde të hekurt, mes kapitalizmit dhe komunizmit – njëfarë Ladislav Bitman, njeriu i dytë i Shërbimit të Inteligjencës së shtetit të atëhershëm Çekosllovaki paskësh ikur në ShBA.
Dhe, siç ndodh zakonisht – një zyrtar i lartë i inteligjencës së Lindjes, ta kalojë perden e hekurt dhe të ik tek dushmani i përbetuar, doemos të kalojë filtra të ndryshëm për t’i besuar. Përveç kontrolleve të shumta dhe të hollësishme, janë bërë edhe dëgjesa në Kongresin amerikan. Në njërin nga dëgjesat, ky, zotëri Ladislav Bitman ka deklaruar kështu përafërsisht: “sikur të kishim një çelës magjik dhe t’i hapnim kasafortat e qendrës së Shërbimit të Inteligjencës në Moskë, Ju do të habiteshit se sa gazetarë, akademikë, politikanë, … si në Europë, ashtu dhe në Amerikë janë duke punuar në dobi të BRSS-së (Rusisë)”. Këto janë fjalë që kanë dalë nga goja e L. Bitmanit – njeriut të dytë të Shërbimit të Inteligjencës së Çekosllovakisë, si anëtare e rëndësishme e bllokut komunist.
Ky muhabet për hallet e Europës dhe Amerikës, i cituar nga dy autorë të nderuar dhe me nam të fushës së informacionit dhe të komunikimit në mbarë botën, flet për atë se, sa i rëndësishëm është ruajtja dhe konservimi i informacionit. E çka të themi për Ballkanin e mjerë, që është shkelë, plaçkitur e përdhunuar me shekuj të tërë. Dhe tradhtia e sojit është shndërruar në zanat dhe art. Duhet t’i shërbesh dikujt, për të ngrënë një copë bukë! E kush e ka pasur gajlen e nderit dhe të fytyrës! Mbijetesa i ka rregullat dhe ligjet e veta, dhe e shkërdhen moralin, gjithmonë.
Zyrtari i lartë i shtetit A.Milloshovski me kallëzimin e dy ministrave të kësaj Qeverie, të cilëve NATO nuk ua paskësh lëshuar “vërtetimet e sigurisë”, e shfaq një problem shumë të rëndësishëm në shoqërinë tonë dhe marrëdhëniet e dyshimta dhe pabesie midis shtetit tonë dhe kësaj organizate politiko-ushtarake veri-atlantike. Prandaj, gjithmonë sipas fjalëve dhe ngazëllimit të A. Milloshovskit – shteti ynë nuk mund të ketë qasje në informacionet e klasifikuara dhe nuk e gëzon besimin e plotë në këtë mega organizatë ushtarake. Çështja e besimit në Ballkan është problemi qenësor i NATO-s. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Maqedoninë, kështu duhet të jetë edhe me Malin e Zi dhe Shqipërinë. Me këtë të fundit, punët janë ‘troshka’. Zyrtarët e kësaj të fundit, qysh moti përjashtohen nga mbledhjet ku shpërndahen informacione të rëndësishme.
Botërisht dihet kush e mban monopolin e informacionit në Ballkan, kush i sundon mediat dhe kush e sundon Ballkanin. Prandaj, NATO si hapin e parë duhet ta bëjë zaptimin dhe sundimin e informacionit. Kush e mban monopolin e informacionit e sundon Ballkanin. Informacioni është arma dhe vegla e vetme që ushtron paqen gjegjësisht luftën në këto troje. Sepse, Ballkani sado që të neglizhohet, përbuzet dhe injorohet nga Europa, megjithatë ndikon fuqishëm në lëvizjet tektonike dhe plasaritjet e përçarjet në Bashkimin Europian.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)