Pas Shqipërisë, edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në këtë pjesë të Europës Juglindore, mund të jenë me fat që edhe pse vonë, megjithatë po bëhen pjesë e një familje më të madhe ku siguria kolektive dhe vlerat perëndimore janë të pacenuara
Nga Emin AZEMI
Të martën, pas ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin në NATO, flamuri i Aleancës Veriatlantike, u ngrit në Shkup para Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, dhe ky ishte kryelajm i mediave botërore. Protokolli për Anëtarësim në NATO hap perspektiva jo vetëm sigurie, por edhe gjeopolitike për rajonin. Perceptimi ndaj NATO-s, që nga Lufta e Ftohtë e deri më sot, ka evoluar dhe ajo në të kaluarën në mendësinë kolektive të njerëzve figuronte ekskluzivisht si organizatë ushtarake, ndërkohë që sot ajo nga shumë kush përjetohet edhe si vlerë që bashkon diversitet kulturore e politike brenda një sigurie kolektive.
Dilemat e shumta që ishin në të kaluarën se kah duhet të shkojë Maqedonia e Veriut, e që ishin të imponuara nga jashtë, prej dje u qartësuan. Kjo pjesë e Ballkanit Perëndimor përfundimisht doli nga influenca ruse, kurse banorët e saj në të ardhmen pritet t’i gëzojnë frytet e këtij aderimi.
Me të drejt i dërguari i posaçëm i Sekretarit shtetëror të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer , ka tërhequr vërejtjen se Rusia po tenton të përçajë rajonin dhe të pengojë integrimin e tij në Perëndim.
“Jam i brengosur për shkak të synimeve ruse sa i përket Ballkanit Perëndimor. Rusia e dëshiron një Ballkan Perendimor të shkërmoqur, të ndarë, me elemente të kaosit “, ka thënë Palmer për servisin bullgar të Radios Europa e Lirë, një ditë pas vizitës në Sofje. Me këtë rast Palmer ka përmendur tentativën për grusht shtet në Mal të Zi, në vitin 2016. Ai për REL ka folur edhe për “përpjekjet ruse për të rrënuar mbështetjen ndaj Marrëveshjes së Prespës në mes të Shkupit dhe Athinës, si një shembull i aktiviteteve dashakëqija të shtetit rus”. Sipas tij, ende vazhdon të jetë sfidë për Ballkanin aktiviteti i agjentëve rusë.
Kjo deklaratë e diplomatit të lartë amerikan, vjen në kohën kur shumë vëzhgues të proceseve rajonale gjeopolitike ndajnë të njëjtin mendim se është humbur shumë kohë në të kaluarën nga ata që udhëhoqën vendin, të cilët taktizonin me durimin e Perëndimit, por edhe me ndjenjat e qytetarëve. Në fakt, tash po dëshmohet se një vend i vogël si Maqedonia, nuk ka pasur as edhe shansin më të vogël që të qëndrojë si ishull në këtë pjesë të Europës Juglindore, poqe se nuk do të projektonte politika të tjera që do ta nxirrnin të tashëm dhe të ardhmen nga ky ishull.
Sidoqoftë, ata që mendojnë se integrimi në NATO vetvetiu është një mekanizëm çudibërës që ti zgjidhë problemet disa vjeçare brenda natës, mund të dalin të lajthitur. Parasëgjithash, zhvillimi ekonomik, kultura e punës, sundimi i së drejtës, mbrojtja e ambientit, janë ‘detyra shtëpie’ të vetë politikanëve, por edhe qytetarëve. Pa këta të fundit, madje, nuk mund të imagjinohet përfshirja në integrime euroatlantike.
Pas Shqipërisë, edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në këtë pjesë të Europës Juglindore, mund të jenë me fat që edhe pse vonë, megjithatë po bëhen pjesë e një familje më të madhe ku siguria kolektive dhe vlerat perëndimore janë të pacenuara. Zaten orientimi i shqiptarëve ndaj këtyre vlerave asnjëherë s’ka qenë i kontestuar, por jo gjithmonë ky orientim properëndimor i tyre është shpërblyer nga politika por edhe nga diplomacia ndërkombëtare.
Me Protokolli për Anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO mbyllet një kapitull i përpjekjeve shumëvjeçare ë për t’iu bashkangjitur asaj pjese të botës e cila shumë më herët kishte krijuar standarde për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të njerëzimit. NATO si aspiratë është edhe zgjatim i ideve europianiste të shumë ideologëve, shkrimtarëve, politikanëve të persekutuar nga regjimet e kaluara dhe ky akt i djeshëm është edhe një mirënjohje për ato aspirata. Por, mbi të gjitha është aspiratë shekullore e rilindësve shqiptarë për të cilët “Dielli lind në Perëndim” dhe ata fatin e ekzistencës dhe mbijetesës së kombit shqiptar e kishin lidhur me vlerat civilizuese Perëndimore, ku bën pjesë edhe NATO.
Prandaj, NATO për Maqedoninë e Veriut dhe për banorët e saj e posaçërisht shqiptarët, është një ftesë solemne për të qenë bashkëfamiljarë të ideve e vlerave që iu kanë mbijetuar barbarive të ndryshme gjatë historisë, por edhe tendencave ruse për të shmangur këtë pjesë të rajonit nga procesi i integrimeve euroatlantike. (koha.mk)