Sot pas 20 vjetësh, siç e do rasti, të tërë, edhe ata që lajthitën me bindjet dhe interesat, edhe ata që hëngrën çorbë të prishur, e vjellin e ende s’janë shëruar, janë gojë plot me NATO-n, por kjo nuk do mjaftojë. Sepse (tek) besimi i fuqishëm në vlerat e vendeve që çuan deri te NATO i vitit 1999, tek liria dhe esenca e saj, tek respekti dhe dinjiteti i tjetrit, qëndron esenca e shënimit të këtyre sulmeve
Nga Nazim RASHIDI
20 vjet nuk janë edhe aq shumë në histori, por për jetën e një njeriu mund të bëjnë një dallim të madh. Dhe 20 vjet më parë, as që imagjinohej ajo çka shënojmë sot. Më kujtohet qartazi, në një kohë totale amullie dhe pasigurie, se si nën qiell ngrinim kokat për të parë avionët e NATO-s që ishin nisur drejtë Serbisë. Një ditë e ngjashme me diell, ishte kur një avion çante qiellin dhe kur nga frika e tmerret e luftës, vinte shpresa.
Luftërat mua më kishin ndjekur në periudhat e pas adoleshencës. Ajo e ish Jugosllavisë, pastaj trazirat e 1997 në Shqipëri dhe tani sërish një dyndje dhe një amulli e madhe më 1999 me Kosovën. E gjithë bota kishte sytë në Ballkan, kurse mua personalisht do të më duhej të lija Maqedoninë. Pas rreth dhjetë ditë të fillimit të sulmeve ajrore, të cilat filluan më 25 mars, më 3 prill 1999 u nisa për në Londër, ku do të filloja punën time pranë seksionit shqip të BBC-së. Sihariqe i konsideroja edhe sulmet ajrore edhe shkuarjen time në Britaninë e Madhe.
Por shoku i madh për mua ishte se Kosovën e lashë pas dhe Kosovën e gjeta në lajme, në faqet e para të gazetës, në BBC, në rrugë, madje dhe në protesta, kudo… Më kujtohet qartë, se kur shkoja rrugës për në aeroport, i shoqëruar nga familja dhe ende me dilemën e madhe nëse fluturimi për në Londër do të ndodhte ose jo, për shkak të avionëve luftarak që kalonin mbi Shkup, se si shikoja kolona me autobusë e refugjatë. Dhjetëra autobusë që shkonin në drejtime të kundërta, nëpër qytetet shqiptare, ku refugjatët do të strehoheshin. Nuk ma merrte mendja se një shqetësim dhe një vëmendje aq të madhe kishte dhe në Britani për Kosovën.
Por pse? Nuk e gjeja këtë përgjigje menjëherë, në fakt nuk e kuptoja as nga bisedat dhe shpjegimet e kolegëve apo edhe teksteve të gazetës se pse një britanik do të dalë të protestojë për Kosovën, për shqiptarët, për padrejtësinë. Vetëm më vonë më ra në kokë pesha e besimit në një bindje a ideologji, e cila mund të ishte aq e fuqishme dhe të nxiste një britanik që të shqetësohet aq shumë për fatin e ca shqiptarëve atje përtej detërave, siç i thonë ata. Në fakt dhe kjo është esenca për mua sot se pse duhet shënuar dhe folur për sulmet e NATO-s ndaj një regjimi. Nga konteksti historik sulmi ndaj Serbisë ishte krijimi i një rendi të ri global. Aleatë “tradicional” siç thuhej kishin ndryshuar anë. Shqiptarët, viktima,( i) kishin marrë në krahë forcat më të fuqishme.
Figurat potente të kohës justifikonin sulmet, në emër të shqiptarëve. Padrejtësitë e bëra ndër vite, të dëgjuara në këngë, libra a oda burrash, po përmirësoheshin. Por, sërish dhe sërish, vinte pyetja pse? Pse kjo pjesë e botës ndryshoi mendje? Përgjigjja që se gjeja dot më herët më erdhi më vonë:
Ishte tek besimi i vlerave, ndërtimi i një shoqërie të hapur e cila mësohet që në vegjëli të kujdeset jo veç për vete, por edhe për botën.
Përgjigjja ishte tek përqafimi, me plot bindje të koncepteve filozofike e politike të barazisë, të dinjitetit, të respektit të tjetrit, të të drejtave bazike njerëzore. Të gjitha këto i kisha lexuar më herët, edhe konventat edhe ligjet, por në realitetin në të cilin unë isha rritur, as që bëhej fjalë se respektoheshin. Dhe me këtë realitet në krye, as që mendoja se edhe të tjerët mund të kishin pasionin dhe vrullin për të protestuar e mbrojtur të drejtat e dikujt tjetër, atje, aq larg tyre. Më goditi kjo vetëdije si grusht në kraharor, se sa të privuar si shoqëri kishim qenë, për të parë e jetuar me dinjitetin e të qenit i lirë.
Ishte kjo frymë dhe shkelja e këtyre parimeve që i bënte me mijëra njerëz të dalin e të protestojnë, e të bëjnë presion që të sulmohet regjimi i Milosheviçit. Dhe këtë e kam parë vetë, por më pas e shikoja edhe për Ruandën, një gjenocid tjetër i tmerrshëm, apo dhe për vende dhe regjime të tjera. Pra ajo botë perëndimore, ajo e vendeve aleate, siç ishte Britania e Madhe, protestonte edhe për të tjerë, edhe më përtej detërash, edhe më përtej nesh.
Sot pas 20 vjetësh jemi në një kontekst tjetër global. Të tjerë liderë e të tjera vlera ofrohen. Ka një lëkundje serioze ndaj besimit dhe vlerave liberale e të hapura. Ka një sfidë serioze ndaj tolerancës dhe respektit për tjetrin. Po rritet lehtësia e akuzave dhe denigrimit të tjetrit mbi çfarë do lloj baze. Por kjo nuk është bota, e madhja, por edhe ajo që mua më rrethon, të cilën dua ta shoh e jetoj. Dhe në kulmin e kësaj krize të vlerave që gëzojnë esencën e njeriut dhe njerzillëkut, ndodhi një tragjedi tjetër ajo e Zelandës së re. Një bombë tjetër dhe goditje tjetër e madhe për vlerat që unë e shumë të tjerë përfaqësojnë, ku njerëzimi dështon e ku urrejtja dhe dhimbja pastaj nxisin ndarjet dhe paragjykimet.
Por në kulmin e atij pikëllimi e dhimbjeje, ngadhënjeu akti njerëzor dhe vlerat e barazisë të artikuluara jo vetëm nga kryeministrja e Zelandës së Re, por edhe vetë njerëzve. Shamitë në kokë të jo myslimanëve dhe heshtja dhe lotët gjatë lutjes të së premtes ishin shpërthimi i atyre vlerave që i respektoj e dua, e që po sfidohen aq rëndë. Pas 20 vjetësh me këto veprime në Zelandë të re, mund të lidhim pasionin dhe reagimin e kohës për sulmet ndaj Serbisë dhe regjimit atje. Prandaj, 20 vjet më pas Kosova, nuk është më veç një dhimbje më pak në historinë dhe tragjedinë e Ballkanit, por është një peshë më shumë për një brez të tërë, por dhe për ata që vinë, se cilat vlera dhe çfarë fryme të përfaqësojnë e përqafojnë. Sot pas 20 vjetësh, siç e do rasti, të tërë, edhe ata që lajthitën me bindjet dhe interesat, edhe ata që hëngrën çorbë të prishur, e vjellin e ende e s’janë shëruar, janë gojë plot me NATO-n, por kjo nuk do mjaftojë. Sepse tek besimi i fuqishëm në vlerat e vendeve që çuan deri te NATO i vitit 1999, tek liria dhe esenca e saj, tek respekti dhe dinjiteti i tjetrit, qëndron esenca e shënimit të këtyre sulmeve.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)