Pas ngjarjeve dhe zhvillimeve të ditës së djeshme rreth arrestimit të të ashtuquajturit drejtor për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë natës në të dyja anët e qytetit të Mitrovicës ka mbretëruar gjendje e qetë. Nata ka kaluar pa ndonjë ekses në këtë qytet, ndërsa afër urës kryesore mbi Ibër kanë qëndruar autoblinda me pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë, shkruan KP. Qytetarë nga veriu i vendit kanë thënë për Kosovapress se në fshatin Rudare të komunës së Zveçanit, përkatësisht tek kryqi, gjatë natës serbët kanë bllokuar magjistralen Mitrovicë-Jarinje, duke vendosur kamionë dhe automjete të ngjashme transportuese.