Evis HALILI
Shkup, 1 mars – Trendet negative të shtimit natyror të popullsisë po japin sinjale gjithnjë e më shqetësuese edhe për shumë vendbanime shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Komuna të tilla si Saraji, Tetova, Gostivari, Dibra, Likova… e të tjera nuk janë si më parë, duke shënuar ulje të ndjeshme të natalitetit. Edhe pse shifrat janë shumë më të larta sesa tek komunat maqedonase dallimi bëhet nëse do të krahasohen të dhënat e sapo-publikuara nga Enti i Statistikave (ESHS) për tre mujorin e fundit të vitit 2016 me ato të së njëjtës periudhë të një viti më parë. Nataliteti në përgjithësi ka shënuar rënie, apo është përgjysmuar me atë të vitit paraardhës, nga 665 në vetëm 342 persona (foshnje), që nënkupton diferencën mes personave të lindur dhe atyre të vdekur. Por faza kritike që ka kapur prej më shumë se një dekade komunat maqedonase, ka kaluar edhe tek pjesa shqiptare, madje edhe në ato komuna që ruanin një konstante ka rënie, më të mëdha apo të vogla të shtimit të popullsisë. Reduktimi më i madh është në Tetovë, raporton KOHA, ku nga mbi shtimi natyror nga 127 në tremujorin e fundit të vitit 2015 është reduktuar në vetëm 90 në fund të vitit të kaluar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Sarajin ku numri nga 102 foshnje të lindura me shumë sesa persona të vdekur ka arritur në 89. Për momentin komuna me shifër më të lartë të shtimit natyror të popullsisë është ajo e Çairit me 98, ndërsa pas saj vjen Studeniçani (92) e më pas Tetova (90), e Saraji (89). Komuna e Zhelinës është një ndër të vetmet ku shtimi i popullsisë është dyfishuar duke arritur në 54. Nga ato shqiptare ku ritmet e ngadalësuara të natalitetit kanë qenë prezent edhe vitin e kaluar ka qenë komuna e Dibrës, në të cilën në vitin 2016 shtimi është përgjysmuar, duke rënë nga 18 në vetëm 9. Po ashtu edhe në Strugë, që renditet në grupin e komunave shqiptare me natalitet të vogël, sërish kemi rënie, nga 29 në 24. Gostivari këtë vit ka kaluar nga shtimi me 64 persona në vetëm 1. Kjo ulje alarmante vjen si pasojë e shifrave shumë të vogla të të sapolindurve, nga mbi 200 në vetëm 175 në fund të vitit të kaluar.
Ekspertët e demografisë lëvizjet shqetësuese të natalitetit i lidhin jo vetëm me uljen e numrit të foshnjave dhe lindjeve në përgjithësi, por edhe me fluksin e madh të emigrimit dhe kurorëzimeve jashtë vendit, ku si komuna më të prekura dhe më të rrezikuara në të ardhmen janë Struga, Dibra, Kërçova… Kjo e fundit nga minus 13, shtimi i popullsisë këtë vit është ulur me minus 55, që do të thotë se më shumë ka të vdekur sesa të lindur. Sa i takon komunave maqedonase, aty ku numri i personave të vdekur është më i madh sesa i të lindurve këtë vit rënie më të mëdha janë shënuar në Ohër, ku shtimi natyror i popullsisë nga minus 3 ka kaluar në minus 44. Në situatë kritike vazhdojnë të mbeten edhe Prilepi, Manastiri, e të tjera.
Përveç numrit të vogël të lindjeve, në shumë komuna janë reduktuar edhe kurorëzimet, ndërsa e kundërta ka ndodhur me divorcet, numri i të cilave ka mbyllur me një bilanc negativ vitin 2016.
“Numri i martesave të kurorëzuara në këtë tremujor është ulur me 15.4 për qind, në krahasim me vitin 2015 ku ky numër ishte 2 922 kurorëzime. Ndërsa numri i shkurorëzimeve në këtë periudhë të vitit të kaluar është rritur me 7.9 për qind krahasuar me vitin 2015, duke arritur në 720 divorce”, thuhet në raportin e ESHS.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.