Sipas demografëve në një afat më të gjatë, përqindja e maqedonasve mund të bjerë nën 50 për qind, krahasuar me popullsinë jo-maqedonase në vend, ndërkohë që ky trend i rënies së natalitetit te maqedonasit ka shqetësuar autoritet. Maqedonia si shtet kishte investuar një buxhet megaloman, për të stimuluar natalitetin, duke nxitur lindshmërinë përmes instrumenteve financiare. Ishte shpikur paketa e masave që do të stimulonin lindjen e fëmijës së tretë, por u tregua se këto masa dolën të paefektshme
Zenel MIFTARI
Shkup, 3 qershor – Ka kaluar edhe një vit tjetër për Maqedoninë e Veriut, ku shënohet një trend negativ në natalitet. Sipas statistikave të publikuara, numri i lindjeve tek maqedonasit është edhe më shqetësuese, ndërsa tek shqiptarët dhe pakicat tjera vazhdimisht është në rritje. Në vitin 2019, është shënuar numri më i ulët i lindjeve të fëmijëve (19.845), dhe sipas statistikave, rënia ka qenë për 7 për qind në krahasim me vitin 2018, thonë statistikat e publikuara nga Enti shtetëror i statistikës. Sipas strukturës gjinore, foshnjat meshkuj kanë një pjesëmarrje më të madhe nga foshnjat e gjinisë femërore, edhe atë me 51.8%. Që nga viti 1995, numri i lindjeve vazhdimisht ka rënë. Rritja të lehtë është regjistruat vetëm në 2009 dhe 2010, dhe rënie ka vazhduar përsëri të binte.
Sipas statistikave të publikuara, për vitin 2019 sa u përket rënies së natalitetit dhe rritjes së mortalitetit, ka një dallim të madh mes komunave dominuese me shqiptarë dhe atyre maqedonase. Në bazë të statistikave të publikuara në komunat me shumicë maqedonase, sa i përket vdekjeve dhe lindjeve në tre mujorin e fundit, më së keqi qëndron Manastiri, duke pësuar ulje natyrore në 127 persona, pasuar nga Prilepi me 81, Gazi Baba me 60 dhe Ohri me 51. Ndërkohë, nëse në ato komuna me shumicë maqedonase vdekjet dominojnë mbi lindjet e foshnjave, në komunat me shumicë dërmuese shqiptare, kemi krejtësisht një situatë të kundërt. Atje dukshëm kemi numër më të madh të lindjeve se sa të vdekjeve. Më së miri prej të gjitha komunave qëndron Çairi, ku shtimi natyror arrin në 148, pësuar nga Saraji dhe Studeniçani me 122 lindje më shumë se vdekje. Më keq nuk është as Tetova, e cila shtimin natyror e arrin në 101. Gjithashtu shumë mirë qëndrojnë edhe Haraçina me Likovën, ku kanë një numër të konsiderueshëm të shtimit natyror.
Ky trend i rënies së natalitetit te maqedonasit ka shqetësuar autoritet. Sepse sipas demografëve, kjo tregon se në një afat më të gjatë, përqindja e maqedonasve mund të bjerë nën 50 për qind krahasuar me popullsinë jo-maqedonase në vend. Ekspertët demograf kanë thënë se paralajmërimet janë aq alarmante sa ekziston rreziku që nëse nuk merren masa serioze dhe efektive, struktura etnike në vend mund të ndryshojë rrënjësisht. Megjithatë, sipas tyre, arsyet e këtij trendi nuk janë vetëm tek ne. Tendenca për më pak martesa dhe për të mos krijuar familje tani më ka prekur të gjithë globin, por në Maqedoninë e Veriut, faktor shumë i rëndësishëm janë edhe kushtet e dobëta ekonomike dhe migrimi i të rinjve.
Maqedonia si shtet kishte investuar një buxhet megaloman, për të stimuluar natalitetin, duke nxitur lindshmërinë përmes instrumenteve financiare. Ishte shpikur paketa e masave që do të stimulonin lindjen e fëmijës së tretë, por u tregua se këto masa dolën të paefektshme dhe për pasojë të njëjtat u shfuqizuan. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, sqaroi se shtesa për fëmijën e tretë do të zëvendësohet me ndihmë të njëhershme prej 60 mijë denarë, për fëmijën e dytë – 20 mijë denarë dhe për të parin vetëm 5 mijë denarë. (koha.mk)