Ka qenë një nga ato ndeshje që tifozët e hershëm të Milanit e mbajnë mend pasi ka hyrë në histori. Ishte data 19 prill 1989 kur Milani priste në “San Siro” Real Madridin për ndeshjen e kthimit të Kupës së Kampioneve, që më pas do të ndryshonte emër në Champions League siç edhe njihet sot e kësaj dite. Asokohe kuqezinjtë ishin më pak të kuotuar për të fituar, pasi skuadra madrilene konsiderohej si më e forta në botë. Spanjollët kishin në gjirin e tyre emra legjendarë si Emilio Butragueno dhe Hugo Sanchez, por edhe “djalli” nuk ishte aspak i varfër. Ndeshja e vajtjes përfundoi në barazim 1-1 mes polemikave për një arbitrim shumë të diskutuar të gjyqtarit të ndeshjes dhe trajneri i atëhershëm Arrigo Sacchi duhet të bëjë pa shërbimet e Alberico Evani, i zëvendësuar nga Carlo Ancelotti.
Milan e nis menjëherë në sulm ndeshjen me Roberto Donadonin, depërtimet e të cilit në krah vënë në vështirësi të madhe Real Madridin. Në minutën e 18-të është pikërisht Ancelotti ai që zhbllokon rezultatin me një gjuajtje të fuqishme nga 30 metra distancë. Pas vetëm 7 minutash Frank Rijkaard shënon golin e dytë me kokë pas krosimit të Mauro Tassotti-t. Në fund të pjesës së parë Milani e mund praktikisht ndeshjen me një gol të Ruud Gullit, i shërbyer në perfeksion nga Donadoni. Goli i katërt vjen në fillim të pjesës së dytë dhe është i githi meritë e “trios holandeze” të famshme. Rijkaard pason bukur në zonë për Gullit, i cili ul topin me kokë për Marco van Basten. “Mjelma e Utrehtit” nuk mund të gabojë dhe mposht Francisco Buyo me një të majtë vdekjeprurëse. Ka momente lavdie edhe për Roberto Donadonin, njeriu i ndeshjes, i cili shënon golin e pestë me një gjuajtje të saktë me të majtën. Pasi eliminoi Real Madridin, Milan do të fitonte për herë të tretë Kupën e Kampioneve duke mundur në finale Steaua Bucarest me rezultatin e thellë 4-0 (dopieta të Gullit dhe Van Basten) në stadiumin “Camp Nou” të Barcelonës.
https://www.youtube.com/watch?v=Lz_LI24IZm0