Nasradin Hoxha në Bruksel

Komisioni Evropian po kalon prej “dykuptimësisë konstruktive” në “nonsens konstruktiv”

Nga Veton SURROI

  1. “Dimë se është ide e keqe, por nuk na është ofruar ndonjë tjetër, kështu që me të do të vazhdojmë”.

Ky ishte përfundimi i një bisede mes dy evropianëve të informuar. Personi që dha këtë shpjegim ishte nga Zyra e komisares për politikë të jashtme të BE-së, zonjës Mogherini. Personi që mori këtë shpjegim është nga bota e organizatave joqeveritare të specializuara për politikë të jashtme, dhe e deklaroi në një konferencë të mbajtur këtë javë në Bukuresht. Ideja për të cilën bëhej fjalë ishte këmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, i quajtur edhe “korrigjim i kufijve” (Thaçi) apo “përkufizim mes shqiptarëve e serbëve” (Vuçiqi).

Deklarimi i këtillë ishte përshkrimi më i mirë i mundshëm i ndërmjetësimit të deritanishëm evropian për “normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit”. Pas viteve të shpenzuara në ndërmjetësim për t’u dakorduar se targat e veturave të Serbisë e të Kosovës mund të mbulohen me letërngjitës në mënyrë që të qarkullojnë lirshëm (dhe kjo çështje ende nuk po aplikohet), diplomacia e Komisionit Evropian tregon se nuk ka më ide të ngjashme, dhe po e merr në konsideratë atë për të cilën dinë se është e keqe.

Dhe, me këtë, ndoshta jo në formë të vetëdijshme, kjo diplomaci vërteton se mënyra më e mirë për ta fshehur një problem është që të krijohet një më i madh. Apo, ndoshta, se mënyra më e mirë për ta fshehur dështimin (në “normalizim”) është që të krijohet një dështim më i madh (në “normalizim”).

  1. Argumenti, i cili është dëgjuar tashmë gjashtë muaj korridoreve të Brukselit, e tash edhe të Prishtinës e të Beogradit, është se Thaçi me Vuçiqin, meqë tashmë janë pak a shumë të pajtimit se si do të këmbejnë njerëz e territore, duhet ta arrijnë marrëveshjen sa më parë, para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Rezultati i këtyre zgjedhjeve shpërfaqet si një gogol i madh, aq i madh madje sa me të po frikëson edhe Thaçi. Gogoli, i cili po qarkullon sot nëpër Evropë është populizmi, dhe sipas frikësuesve me këtë gogol, një Parlament Evropian që do të dominohej prej njerëzve të ngjashëm me kryeministrin hungarez, Orban, apo zëvendëskryeministrin italian, Salvini, do të ishte i dëmshëm për interesat e Kosovës. Rrjedhimisht, marrëveshja duhet të mbërrihet me këtë Parlament Evropian dhe me këtë Komision.

Por ky mandat i Parlamentit Evropian dhe i Komisionit nuk është se përmirësoi dukshëm marrëdhënien e Kosovës me BE-në. Nga perspektiva e një qytetari të rëndomtë do të shtrohet një pyetje e thjeshtë: a e solli ky Parlament dhe ky Komision liberalizimin e vizave? Përgjigja është dhe ka gjasa të mbetet negative. Nëse Parlamenti dhe Komisioni “populist” qenkan të këqij që tani, para se të zgjidhen, pse qenka i mirë ky Parlamenti dhe ky Komisioni “liberal”? Ç’është e vërteta, përgjigja nuk mund të jetë e thjeshtë një ndihmesë e madhe iu dha vendit me Marrëveshjen e veçantë të Stabilizim-Asociimit, dhe qe fryt i këtij Komisioni e Parlamenti. Por edhe kjo Marrëveshje u bë me një vend “jonormal”, një vend që është ende në konflikt të papërfunduar me Serbinë e që zhvillohet në territor të vetin, rrjedhimisht, rezultatet nuk mund të jenë sikur te shtetet “normale”.

  1. Problemi qëndron tek Nasradin Hoxha. Apo të jem më preciz te ftesa që iu bë Nasradin Hoxhës në Bruksel, te Komisioni Evropian. Qe ftuar një herë Nasradin Hoxha të ndajë drejtësi mes dy palëve dhe dëgjoi njërën palë e i dha të drejtë, pastaj dëgjoi tjetrën dhe i dha të drejtë po ashtu. Dikush nga xhemati i mbledhur protestoi, duke e pyetur Hoxhë efendiun se si është e mundur që të dyja palët në konflikt të kenë të drejtë, dhe Nasradini iu përgjigj: “Edhe ti ke të drejtë”.

Komisioni Evropian deri më sot ka deklaruar se Kosova ka të drejtë kur shpalli pavarësinë (23 vendet anëtare të saj) e po ashtu ka të drejtë Serbia që ia mohon Kosovës shtetësinë (pesë vendet anëtare të saj). Kur dikush nga jashtë pyet se si është e mundur një gjë e tillë, edhe atyre u thuhet se Komisioni ka të drejtë. Drejtësinë e ndarë alla Nasradin diplomacia evropiane ia ka gjetur një emër (të huazuar nga H.Kissinger) , “ambiguitet konstruktiv”. Me të nuk zgjidhet ndonjë problem, por hapet disi një proces negociator, që shtyn gjërat deri sa të piqen rrethanat për t’i dhënë fund konfliktit.

Diplomacia e Komisionit Evropian, e udhëhequr nga parimet e Nasradin Hoxhës, tash është në fazën ku në mungesë të ideve brilante për mbulimin e targave të automjeteve me letërngjitës të provojë “një ide që e dimë se është e keqe”. Prej “ambiguitetit konstruktiv”, Komisioni po kalon drejt e në “nonsens konstruktiv”, në ndërmarrje që “dimë se është e keqe, por nuk kemi ide të tjera”.

  1. Ndoshta do t’ia vlente që Komisioni Evropian t’i shikojë Kosovën e Serbinë me dioptri evropiane, e jo nëpërmjet mësimeve të Nasradin Hoxhës. I tërë ndërtimi monumental i integrimit evropian u bë në momentin kur në vend të idesë për këmbim popullatash, territoresh e luftash për resurse, tokë dhe popullata u adoptua ideja e bashkëpunimit mes popujve dhe shteteve që luftuan deri dje, me kufijtë e popullatat që u gjetën aty në fund të konfliktit të armatosur. Dhe i tërë ky ndërtim monumental qe i mundur ngase gjenerali amerikan George C. Marshall, në zyrën e të cilit prej sekretar shteti u ravijëzua projekti i madh i një Evrope të lirë e të sigurt, të integruar tej kufijve shtetërorë, nuk ftoi që drejtësinë për kombet e shtetet evropiane pas Luftës së Dytë Botërore ta ndajë Nasradin Hoxha. (koha.net)
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com