Kur përmendet emri i tij menjëherë të kujtohet ai djaloshi i hiteve të shumta të muzikës së pastër shqipe që gjithmonë publikonte ato këngë shumë kreative që thumbonin realitetin e jetës jo vetëm në Kosovë. Naser Berisha tashmë jeton në Gjermani mirëpo sjell gjithmonë projekte të reja për publikun që e ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë atë. Në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA, këngëtari kosovarë tregon shumë gjëra mbi veten!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Vjen me klip të ri?…bëhet fjalë për një klip të gëzueshëm apo të trishtuar?
Bëhet fjalë për një njeri që dikur ka dashur dikënd dhe mendon se një ditë përsëri do të dojë dikënd por kurrë si dikur dikënd (atë) dhe e përshkruan jetën e së kaluarës dhe me nostalgji i kujton çastet me të dhe historinë e përbashkët që kishin në ditët e rinisë.
KOHA: Me çfarë imazhi prezantoheni në këtë videoklip?
Përafërsisht e paraqes një njeri të moshës sime i cili është tërhequr nga jeta e qytetit dhe jeton me natyrën dhe kujtimet e tij, një shkrimtarë e kompozitor që përmes vargjeve dhe melodisë së tij e përshkruan jetën e së kaluarës e që për momentin edhe më tej jeton i vetmuar, me shpresën se një ditë do të dashurohet në dikënd edhe pse nuk beson se dashuria do të jetë aq e madhe sikur që ishe ajo dikur.
KOHA: Klipi i paraprinë ndonjë projekti të rradhës që je duke bërë gati?
Zakonisht shkruaj dhe kompozoj këngë në studion time edhe pse rrallë publikoj por nuk ndalem së punuari por në anën jo të gjitha këngët që i shkruaj dhe do të publikohen një ditë sepse për mua më shumë vlenë kualiteti se kuantiteti.
KOHA: Si e ndieni veten në këtë konkurencë mes këngëtarëve?
Apsolutisht i qetë pasiqë financiarisht nuk varem nga muzika edhe nuk e kam pasion që shpesh të publikoj këngë, përndryshe këtë zhanër të muzikës unë e bëj është në treg më i qetë se sa rrymat tjera muzikore.
KOHA: Besoni tek festivalet që organizohen dhe çmimet që jepen në to?
Kurrë nuk kam qenë një fans i festivaleve së paku jo në këto festivale që jemi mësuar të shohim, festival është atëherë kur të gjithë performojnë live dhe se çmimet nuk ndahen se cila është më seksi, por kush e ka këngën më të mirë dhe këndon më mirë e nga ky kriter ne jemi vite dritë larg.
KOHA: Është i rëndësishëm për ju teksti?
Në 90% të raseve dhe muzikën e tekstin e shkruaj vet prandaj tekstit i kushtoj shumë rëndësi, mendoj se një tekst i mirë është atëherë kur nga ato 4-5 strofa që ke shkruar të ketë aq shumë thellësi saqë me vullnet të mirë dhe me një imagjinatë të theksuar mundesh të shkruash një roman të tërë.
KOHA: Çfarë ndiesie të shkakton shfaqja para publikut?
Edhe më tej kam shumë emocione para publikut, e para pasiqë jetoj në Gjermani paraqitjet e mia janë të rralla se sa sikur jetoja në Kosovë, e në anën tjetër unë kam shumë respekt për publikun sepse mundohem që të jem sa më profesional në paraqitjet e mia dhe mos i zhgënjej.
KOHA: Vihet re së fundi një tendencë e këngëtarëve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Ju kujt do t’ia vinit syrin?
Pasiqë nuk jetoj në Kosovë mundësitë e bashkëpunimit janë më të vogla edhe pse një bashkëpunim i fundit që e kam ishte me këngëtarin Hekuran Krasniqi në vitin 2017 me këngën Pa kasavet e që si këngë është pritur mjaft mirë nga publiku.
KOHA: Si e organizon një ditë, një javë, një muaj, një vit, përveë këngës a keni angazhime të tjera?
Zakonisht në muzikë punoj me plane afatgjate pra si kënga që e publikova Do të dua dikur, si ide dhe demo është më shumë se 5 vite kurse tek tash e kam punuar seriozisht, e në jetën private përveç studio që kam në shtëpi ku punoj për artistë tonë dhe të huaj unë kam një punë të rregullt dhe angazhimet familjare ku kam bashkëshorten dhe tre fëmijë, kam qenë dhe shumë aktiv me shoqatën shqiptare këtu ku jetoj ndërsa angazhim kam edhe në Lëvizjen Vetvendosja ku si idealist kontriboj në luftimin e së keqes, përndryshe dhe kënga Hajt shko dhe Paradox e vërtetojnë qëndrueshmërinë dhe idealizmin tim.
KOHA: Ju ka lindur ndonjëherë dëshira t’i ikni realitetit?
Jo sepse në suazet tonë e të qenurit yll muzike nuk është diçka që të shtynë aq larg, së paku jo për mua.