NATO dhe BE duhet t’i themelojnë qendrat e institucionet e veta të strategjisë së komunikimit. Vendi ynë as nuk ka dijen e duhur, aftësinë, as fuqinë që t’i luftojë Aktivitetet për Ndikimin e Informacionit. Ndonëse, Maqedonia e Veriut është një nyje e fuqishme ku veprojnë dhe ndër-veprojnë qendra të ndryshme politike, të cilat ashiqare përpiqen të përçajnë, të dobësojnë dhe ta rrënojnë si NATO-n ashtu edhe BE-në, përmes Aktiviteteve për Ndikimin e Informacionit
Nga Shaqir ISLAMI
Kohët e fundit të gjithë së bashku jemi dëshmitarë se si u vërshua sfera publike nga narrativi historik. Një fjali e vetme e Premierit ZoranZaev – gjatë një interviste për një media bullgare – ku e paskësh fajësuar “ish Jugosllavinë për krijimin e armiqësisë së maqedonasve ndaj Bullgarisë”. Dhe, mjaftoi kjo fjali e vetme që të shpërthejë narrativi armiqësor i paparë si një llavë vullkanike kundër tij; dhe në të njëjtën shpërtheu narrativi armiqësorë historik kundër Bullgarisë, dhe në anën tjetër, lulëzoi si kundër peshë e kësaj, narrativit historik i empatisë dhe nostalgjisë ndaj ish Jugosllavisë.
Nukka dyshim se, Maqedonia është peng e narrativëve historik. Këto narrativë shfrytëzohen nga fuqi dhe qendra politike të jashtme, për të penguar dhe pamundësuar pavarësimin e plotë dhe euorpeizimin e vendit tonë. Gjithmonë, në çastet vendimtare të zhvillimit, për çudi, shpërthen një narrativ i orkestruar mirë, i cili nxjerr në pah ndasitë, përçarjet dhe animozitetet e vjetra historike në mjedisin tonë të komunikimit. Kjo flet qartë se, në çfarë derexhe është i ndotur mjedisi i komunikimit në vendin tonë! Dhe kjo është problemi dhe pengesa kryesore në rrugëtimin tonë të europeizimit.
Edhe rasti i intervistës së Premierit Zaev për median Bullgare, u shfrytëzua nga qendra të jashtme politike, që të shpërthejë një diskurs me plot urrejtje, akuza dhe paragjykime ndaj shtetit fqinjë të Bullgarisë, anëtare e BE-së.
Vet Ballkani është një ndër vullkanet më të vjetra aktive, për sa u përket narrativëve historikë. Mjafton një fije shkrepëse , që ta kall diskursin e urrejtjes dhe armiqësorë,ndaj një entitetit të caktuar.
Motor i kalljes së këtyre diskurseve janë Aktivitetet për Ndikimin e informacionit. Ndërsa vendi ynë është një fushëbetejë dhe një nyje ndërkombëtare e Aktiviteteve për Ndikimin e Informacionit të forcave të huaja; të cilët emenaxhojnë mjedisin tonë të informacionit përmes dezinformacionit dhe keq-informacionit, përmes të cilëve përpiqen të përhapin informacione të helmuara ose të ndotura me qëllim të rrënimit të proceseve integruese në NATO dhe BE.
Sulmet kundër Bullgarisë, janë sulme indirekte kundër Be dhe NATO. Ndonëse, Bullgaria është anëtare e NATO’s dhe BE’së. Akuza me aq emocione dhe plot urrejtje për të kaluarën para shtatëdhjetë vjetësh të një periudhe tre vjeçare të Bullgarisë është një narrativ historik i cytur nga qarqe anti BE dhe anti NATO.
Për ta pasur lexuesi më qartë, se për çka bëhet fjalë, le ta shpjegojmë se çka është vet nocioni – narrativ – në këtë kontekst aktual. Ja si e shpjegon këtë nocion, “NATO Strategic Communications Center of Exellence” : “Narrativ nuk është thjesht një tregim në vete, por është morali ose domethënia e thellë që e nxjerr individi nga një tregim i posaçëm”.
Pra, gjithmonë sipas “NATO Stratcom CoE”: “narrativi ka kuptim vetëm në kontekstin e caktuar. Pa një kontekst ose prapaskenë , një tregim ose narrativ nuk mund të konsiderohet negativ ose pozitiv, miqësorë ose armiqësorë. Që të dy i fitojnë tiparet vetëm në kontekstin e tyre”. Konteksti aktual në vendin tonë u krijua nga Aktivitetet për Ndikimin e Informacionit nga fuqitë dhe qendrat e jashtme. Dhe kjo tregon se sa seriozisht është i prekshëm mjedisi i informacionit nga ndikimet e jashtme. Për atë shkak, me një lehtësi të paparë orkestrohet diskursi politik.
Rasti me intervistën e Premierit Zaev është një shembull – të cilin NATO dhe BE duhet ta shqyrtojnë me seriozitetin më të madh – se në çfarë gjendje të mjerë dhe të ndotur është mjedisi i komunikimit në vendin tonë. Në fakt, i gjithë Ballkani vlon nga narrativet armiqësore dhe nga ndotja e mjedisit të komunikacionit me keq-informacione dhe dezinformacione. Ja çka thotë: “NATO StratcomCoE” për narrativet armiqësore: “janë ato narrative që ndërtohen nga tregimet, të cilat shfrytëzohen me përpjekje jo të ligjshme për të ndikuar në formimin e mendimit në demokracitë -liberale si përfitim të fuqive të jashtme, qoftë ai një shtet, jo-shtet ose bedel (i autorizuar nga dikush).
Prandaj, NATO dhe BE duhet t’i themelojnë qendrat e institucionet e veta të strategjisë së komunikimit. Vendi ynë as nuk ka dijen e duhur, aftësinë, as fuqinë që t’i luftojë Aktivitetet për Ndikimin e Informacionit. Ndonëse, Maqedonia e Veriut është një nyje e fuqishme ku veprojnë dhe ndër-veprojnë qendra të ndryshme politike, të cilat ashiqare përpiqen të përçajnë, të dobësojnë dhe ta rrënojnë si NATO-n ashtu edhe BE-në, përmes Aktiviteteve për Ndikimin e Informacionit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)