Shiringa, gjilpëra janë fotografitë të cilët janë publikuar nga qytetarët e shqetësuar në afërsi të shkollës fillore “Tefejuz” në Shkup. Komuna e Çairit gjithashtu ka marrë masat e nevojshme pas ankesave të adresuara tek ata, ndërsa banorët u shprehën se kjo është dukuri e cila është prezent me vite të tëra
Remzije BILALLI
Shkup, 5 tetor – Shiringa, gjilpëra dhe gjëra tjera janë disa nga mjetet që paralajmërojnë kthimin e grupeve të narkomanëve nëpër lagjet e Komunës së Gazi Babës, të cilat paraqesin rrezik për qytetarët e sidomos për fëmijët. Ky fenomen i cili për një afat të shkurtë kohor ishte zbehur, prapë u rikthye. Këtë e lajmëruan edhe banorët e kësaj lagje nëpërmjet postimit të fotografive nëpër rrjete sociale ku në afërsi të shkollës “Tefejuz” shiheshin shiringa dhe gjilpëra. Sipas tyre, fëmijët e tyre janë të rrezikuar ndaj infeksioneve të ndryshme dhe sëmundjeve të cilat mund të përhapen.
Qytetarët e kësaj lagje për gazetën KOHA theksuan se ka vende të caktuara ku frekuentohen nga shitësit e lëndëve narkotike si dhe narkomanëve dhe se për këtë edhe institucionet kompetente janë në dijeni. “Ka një numër të madh të narkomanëve dhe me ata as institucionet nuk mund të ja dalin e lëre ju gazetarët vetëm se mund të hyni në ndonjë zënkë dhe telashe me këta persona, duke e rrezikuar kështu veten tuaj. Lagja ka mbledhur edhe nënshkrime për denoncimin e këtyre personave por nuk është bërë asgjë konkrete”, tha një banor nga kjo lagje.
Nga ana tjetër qytetarët akuzuan se shumica e tyre bashkëpunojnë me policinë dhe se shumica e institucioneve vetëm se i dinë lokacionet ku kryhet ky fenomen. “Po ka narkomanë, mirëpo mendoj se ekziston një marrëveshje e heshtur mes policisë dhe këtyre grupeve. Në fakt nuk kemi diçka të keqe nga ata, sepse nuk na bëjnë dëm kështu qe nuk jemi marrë me këtë punë”, u shprehën disa qytetarë ne afërsi të shkollës “Tefejuz”. Të pyetur disa qytetarë tjerë, theksuan se ky fenomen dikur ishte tepër i theksuar mirëpo me kalimin e kohës personat e tillë kanë filluar të largohen nga lagjja, e disa të tjerë nuk kishin njohuri sa i përket kësaj çështje.
“Persona që merreshin me punë të tilla kishte më shumë më herët, por për një kohë ata u zhdukën dhe nuk ishin prezent në lagje. Në fakt edhe unë pashë disa fotografi në rrjetet sociale se prapë kanë filluar të shëtisin, por besoj institucionet do e kryejnë punën e tyre”, tha një tjetër banor. Gazeta KOHA ishte edhe deri tek shkolla fillore “Tefejuz” nga ku nuk arritëm të marrim deklaratë për shkak mungesës se drejtoreshës së kësaj shkollës.
Komuna e Çairit për gazetën KOHA theksoi se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për denoncimin e këtij rasti në afërsi të kësaj shkolle në bashkëpunim me sektorin për Punë të Brendshme – Shkup si njësi kompetente në suaza të Ministrisë për Punë të Brendshme. “Si institucione jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm dhe po kërkojmë vazhdimisht përforcimin e mekanizmave vëzhgues në territorin e komunës sonë nga ana e organeve të rendit dhe sigurisë publike”, shtuan nga Komuna e Çairit.