Napolit i ndalohet të përdorë imazhin e Maradonës

Napoli nuk do mund të përdorë më imazhin e Diego Armando Maradonës në fanella pas një vendimi gjyqësor në favor të fëmijëve të legjendës argjentinase.

Pesë fëmijët e Maradonës hodhën klubin italian në gjyq pas një mosmarrëveshjeje ligjore me Stefano Cecin, ish-menaxherin e legjendës.

Skuadra ka veshur fanella që mbanin një imazh ‘gjurmë gishti dhe në të fytyrën’ e Maradonës, pas vdekjes së legjendës, pasi klubi kishte fituar të drejtat nga Ceci disa muaj para se argjentinasi të vdiste në nëntor 2020, ose të paktën kështu raportojnë mediet italiane.

Advertisements

Familja e Maradonës ndërmori veprime ligjore për të bllokuar shpërndarjen dhe përdorimin e imazhit në çfarëdolloj forme, përfshirë në fanella, dhe gjithashtu kërkoi  sekuestrimin e të ardhurave në shumën prej 450,000 euro.

Gjyqtari i Gjykatës së Napolit, Paolo Andrea Vassallo tha se kontrata prej 23,000 euro e Cecit me Napolin ishte “e dëmshme për trashgiminë pasurore” të fëmijëve të Maradonës në lidhje me përdorimin e imazhit të babait të tyre, “një simbol planetar i futbollit, i njohur kudo. Vlera ekonomike e përdorimit të imazhit duket të jetë e një rëndësie të konsiderueshme, pothuajse e paçmueshme”.

Shitja e 6,000 fanellave të Napolit që mbanin imazhin Maradonës solli 900,000 euro të ardhura bruto, me Ceci që mori 50% të të ardhurave pasi kishte nënshkruar një marrëveshje me fituesin e Kupës së Botës në gusht 2020. Ndaj Cecit u vendos një masë e ndalese dhe u sekuestruan 150, 000 euro.