Sportistja amerikane e arteve marciale mikse Rose Namajunas, 7 fitore dhe 3 humbje në karrierën e saj në UFC, është vlerësuar nga televizioni ESPN si “Sportistja më e mirë e vitit 2017” (“fighter of the year 2017”). Namajunas është kampione e botës në peshën “strawweight”, titull që e mori në evenimentin e UFC-217 (u zhvillua në Nju Jork), kur mundi me “KO teknik” në raundin e parë ish-kampionen polake Joanna Jedrzejçyk. Gjatë vitit të kaluar, kampionia amerikane zhvilloi dy sfida dhe i fitoi të dyja para kohe (të parën ndaj Mishell Uaterson me submission, në prill). 25-vjeçarja, pas këtij vlerësimi tha: “Kam kaluar momente vërtet të vështira në jetën time, por e kam kthyer të gjithë atë negativitet në një energji pozitive. Kam hedhur pas krahëve të gjitha gjërat negative dhe kam mirëpritur vetëm anët pozitive nga eksperiencat e mia në kafaz. Dua të jem një shembull për njerëzit, duke u treguar atyre që nuk duhet të duelojnë me inat. Mund të duelosh, por me pasion dhe me dëshirën brenda vetes për ta bërë këtë botë një vend më të mirë”, u shpreh Namajunas, e cila ende nuk dihet se kur do të rikthehet në kafaz për të mbrojtur titullin.