Shkup, 6 korrik – Me vendimin gjyqësorë për tentim vrasjen ndaj Ziadin Selës, 27 prilli po hy në fazën kryesore, respektivisht veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues”. Dënimet e një dite më parë, ku për tentim vrasje ndaj Selës, Gjykata Penale 7 persona i dënoi me rreth 82 burg, sipas ekspertëve reflektojnë fillimin e reformave në sistemin gjyqësor.
Për mua si qytetar i këtij vendi, nga dje kanë filluar reformat në sistemin gjyqësor. Dikush mund të thotë se janë dënime të larta, por duke pasur parasysh faktin e ngjarjes, personin ndaj të cilit është kryer vepra dhe parandalimin special dhe atë gjeneral gjatë shqiptimit të dënimit, mendoj se ishte koha për diçka të tillë- deklaroi Aleksander Nakov, Ish prokuror.
Nakov shton se dënimet janë paralajmërim i asaj çfarë mund t’i presë deputetët dhe të akuzuarit tjerë për veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues”.
Vetë dënimi ka parandalimin special dhe gjeneral. Parandalimi special është për personin i cili dënohet, ndërsa parandalimi gjeneral është paralajmërim për të gjithë- u shpreh Aleksander Nakov, Ish prokuror.
Avokatët e të dënuarve një ditë më parë, as sot nuk pranuan të komentojnë lartësinë e dënimit ndaj klientëve të tyre. Ndërkohë, kryetari i VMRO-DPMNE-së ditë më parë paralajmëroi ligj të ri për amnisti për të akuzuarit e 27 prillit. Nga kjo parti, duke mos dhënë shumë detaje theksuan se ligji do t’i përfshi të gjithë të dënuarit dhe të akuzuarit, ndërsa nuk theksua nëse mos kalimi i këtij ligji mund të motivojë opozitën për hapa më rigoroz, si bojkoti i punës së Kuvendit dhe kthimi në rrugë. Nga partia e Mickoskit nuk japin detaje se kur ligji do të futet në procedurë parlamentare./alsat/