Radja Nainggolan nuk e ka harruar Romën. Por ai tani nuk shqetësohet shumë për krizën e verdhekuqve sepse e ka një arsye të fortë.
“Unë gjithnjë bëj tifo për ish shokët e mi. Ne kemi marrëdhënie mjaft të mira por tani unë jam tek Interi dhe për mua ka rëndësi që t’i bëj gjërat mirë këtu. Totti? Mendoj që fakti që kam luajtur me një si ai ka qenë një nga momentet më të bukura të karrierës sime. Madje isha aty kur vendosi të largohej nga futbolli. Gjithnjë mbaj kontakte me të”, tha belgu.
Entuziazmi – “Ka shumë entuziazëm pas kualifikimit në Champions në vitin e shkuar. Është bukur të luash në një stadium gjithnjë plot. Do të bëjmë gjithçka që të fitojmë çdo ndeshje dhe së bashku më marrim rezultatin që duam.”
Aventura e re – “Po jap gjithçka te zikaltrit. Por e di që duhet të përmirësohem, ende nuk jam në formën më të mirë. Që kur erdha këtu u ndjeva rehat, të gjithë më kanë ndenjur afër. Shpresoj të plotësoj pritshmëritë. Këtë vit, objektivi primar është që të përmirësohemi krahasuar me vjet. Nuk u nisëm mirë, por 2 fitoret e fundit na kanë futur ën rrugë të drejtë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. Por rruga është e gjatë. Ne e kemi treguar që fitojmë sfida të komplikuara”.