Naim Maloku, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh këshilltar i kryeministrit, Ramush Haradinaj, është shtruar në spital. Në bazë të pamjeve që i ka publikuar i biri i tij, Migjeni, ai duket në gjendje të rëndë, shkruan AktivPress. Migjeni është lutur që kjo të jetë e kaluar.
“Sikur shumë beteja në jetën tënde, edhe kjo qoftë e kalume baba jem”, ka shkruar Migjeni në llogarinë e tij në Facebook. Naim Maloku, ka qenë i shtrirë në spital në Slloveni edhe muaj më parë. Ai pati refuzuar të marrë mbështetje nga Qeveria për shërimin e tij.
Vetë kryeministri Haradinaj, pati treguar për këtë gjest të Malokut. Arsyetimi i ushtarakut ka qenë se “parat janë të popullit të Kosovës dhe se i dhimbset”. Muajin e kaluar Haradinaj e emëroi si këshilltar. Po atë ditë, ai e nderoi Malokun me Medaljen “Gjergj Kastriotit-Skënderbeu”.