Nuk e bëri Atalanta, por u përkujdes RB Leipzig për befasinë më të këndshme të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve. Skuadra gjermane ka shënuar fitore 2-1 ndaj Atletico Madrid në çerekfinale duke kaluar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Për klubin gjerman ky është një sukses historik, pasi kurrë më parë nuk kishte arritur që të jetë në mesin e katër skuadrave më të mira në Evropë.
T’i kthehemi ndeshjes ku është zhvilluar një 90 minutësh i zjarrtë, edhe pse në pjesën e parë munguan golat. Leipzig e nisi për mrekulli pjesën e dytë, ku në minutën e 51-të Dani Olmo shënoi me kokë pas asistimit nga Sabitzer për 1-0. Atletico Madrid fitoi një penallti në minutën e 70-të, pasi Joao Felix u pengua në zonë nga Klostermann. I saktë nga pika e bardhë ishte sulmuesi portugez që barazoi gjithçka. Por dy minuta para fundit të ndeshjes, Leipzig arriti të shënojnë golin historik. Mesfushori amerikan i inkuadruar në lojë, Tyler Adams shënoi një gol nga distanca, gol që doli të jetë vendimtar për fitoren e skuadrës së tij.
Trajneri i Leipzig, Julian Nagelsmann beson se skuadra e tij meritoi totalisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Nagelsmann ka shprehur mendimin se skuadra e tij ishte më e mira në fushë dhe meritoi të shkonte tutje. “U bëmë paksa pasiv pasi morëm epërsinë 1:0 dhe ishte ndeshja e ngushtë. Ne ishim me shumë fat që shënuam golin e fitores. Por, prap ishim skuadër më e mirë në përgjithësi dhe treguam pjekuri”, ka thënë Nagelsmann. “Nuk më kujtohet ndonjë rast i rrezikshëm nga Atletico. Djemtë punuan për veten e tyre, influenca mund të jetë e vogël nga jashtë vijave”, ka shtuar trajneri, duke refuzuar të pranojë meritat. Leipzig është themeluar si skuadër në vitin 2009, kurse tashmë 11 vite më vonë siguron gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
Simeone: Nuk kemi arsyetime
Diego Simeone nuk ka fjalë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Pas ndeshjes, Simeone ka thënë se skuadra nuk ka ndonjë arsyetim për humbjen. “Kemi dhënë gjithka që patëm. Ishte e vështirë për ne që të fitonim duelet dhe ishin më të shpejtë”, ka thënë Simeone. “Kishte qenë vit i gjatë me këto 60 ditë pushimi. Pastaj kishte presion për rikthimin në Ligën e Kampionëve. Kishim një javë kohë për t’u kthyer në stërvitje”, ka shtuar trajneri. “Por, ata kishin përkushtim, entuziazëm dhe freski. Kjo na kushtoi. Nuk ka arsyetime”, ishin fjalët e trajnerit të Atletico. Leipzig shënoi golin e fitores në minutën e 88’ të takimit. Leipzig tashmë luan në gjysmëfinale kundër PSG.
Koke e pranon se Leipzig meritoi kualifikimin
Pas ndeshjes së mbrëmshme, disa fjalë ka thënë edhe ylli i Atletico Madrid, Koke, i cili ka pranuar se gjermanët ishin më të mirë. Sipas Koke, Leipzig kanë merituar kalimin tutje në Ligën e Kampionëve, pasi Atleti nuk mund të kapnin ritmin e tyre. “Ata ishin më të mirë, ata nuk na lejuan të barazojmë intensitetin”, ka thënë Koke. “Në çdo kohë ishin më të mirë, kishin më shumë posedim. Ata ishin më të shpejtë dhe luanin më me intensitet. Duhet uruar rivalin dhe të reflektojmë”, ka shtuar mesfushori. Leipzig përfundonin ndeshjen kundër Atletico me 57% posedim dhe kishin një gjuajtje më shumë në portë, krahasuar me Atletico Madrid.
Kësisoj RB Leipzig shkaktoi befasinë më të madhe këtë edicion të Ligës së Kampionëve, teksa në gjysmëfinale do të përballet me kampionin francez Paris Saint Germain