Kush shpresonte që të shihte një gjysmëfinale të madhe në tenis mes Rafael Nadal dhe Rogjer Federer në grand slemin e “US Open” ka mbetur i zhgënjyer, pasi tenisti zviceran nuk ka arritur të sigurojë kualifikimin për në “top-4”. Federer u mund 3-1 nga argjentinasi Huan Matrin Del Potro (7-5, 3-6, 7-6, 6-4) në çerekfinalen e fundit të grand slemit-njujorkez, duke mos pasur mundësi të shkojë në gjysmëfinale. Një takim mjaft i bukur, me shumë rivalitet dhe emocione, mes dy tenistësh pretendentë. Federer bëri disa gabime në pikët shtesë, duke mos qenë konkret në setin e parë dhe të tretë, ku kishte mundësi të fitonte. Përballë Del Potro në gjysmëfinale do të jetë Rafael Nadal, që në çerekfinale mundi me lehtësi rusin Andrej Rublev me shifrat 3-0 (6-1, 6-2, 6-2), në një fitore “flash” të spanjollit, që për asnjë moment nuk e vuri në diskutim fitoren. Ndryshe, Nadal tregoi një formë të mirë, duke e dominuar ndeshjen në të tre setet, përballë një testi jo fort të njohur dhe të përgatitur për të tilla evenimente.
Është luajtur edhe çerekfinalja e fundit e femrave, ku tenistja amerikane Madison Kejs mundi 2-0 (6-3, 6-3) estonezen Kaia Kanepi, duke u kualifikuar me meritë për më tej. E veçanta e këtij grand slemi është se të katërta gjysmëfinalistet janë teniste amerikane, si kurrë më parë. Kujtojmë, nga “US Open” u eliminua Karolina Pliskova edhe atw nga amerikania Koko Vandevege. Ajo me 2-0 (7-6 dhe 6-3) mundi numrin 1 në botë. Një ndeshje me rivalitet vetëm në setin e parë, që u fitua në “tie break” 7-6 nga tenistja amerikane, e mbështetur edhe nga fansat e shumtë. Ndërsa seti i dytë ishte një formalitet për Vandevege, që fitoi 6-3, duke siguruar kualifikimin për në gjysmëfinalen e “US Open”. Ky rezultat ka zbritur nga froni çeken Pliskova, që nga dita e hënë do të jetë numri 2 në botë, ndërkohë që “mbretëresha” e re do të jetë tenistja spanjolle Garbine Muguruza (u eliminua në raundin e katërt). Muguruza është tenistja e katërt që këtë vit ngjitet në krye të renditjes, pas Serena Uilliams, Kerber e Pliskovës.