Rafael Nadal mund në tre sete numrin 8 të botës Grigor Dimitrov, duke u kualifikuar për herë të katërt në karrierë për në finalen e turneut të Pekinit. 12 muaj më parë në kryeqytetin kinez tenisti bullgar e mundi Rafën bindshëm në vetëm dy sete, sidoqoftë ajo ndeshje përbënte edhe fitoren e vetme të Dimitrov në 9 përballjet ndërmjet tyre. Numri 1 i botës ishte thjesht stratosferik përgjatë orës së parë të lojës dhe Rafa fluturoi shpejt e shpejt në avantazhin e një seti dhe të një game me break. Në setin hapës 31-vjecari spanjoll u mjaftua vetëm me një break në game-n e katërt, ndërsa në setin pasardhës Nadal e ndëshkoi në servis tenistin ballkanas me 0, që në game-n e parë. Në Australian Open, edhe atëherë në gjysmëfinale, Dimitrov e shtrëngoi tenistin iberik në pese sete, në një takim që zgjati plot pesë orë lojë, gjithsesi në tre përballjet e fundit tenisti bullgar ia kishte dalë mbanë gjithmonë për të fituar set ndaj Rafës. Numri 8 i botës që në Pekin kërkonte finalen e dytë radhazi, përfitoi nga gabimet e shumta të tenistit nga Mallorca dhe përmbysi disavantazhin 3-1, duke fituar 5 nga 6 game-t e fundit të setit të dytë. Në setin final gjithcka ndryshoi sërish, teksa Nadal iu rikthye lojës së tij, për t’i lënë kundërshtarit thjesht një game të vetëm, gjithsesi pavarësisht rezultatit të thellë tre game-t e parë ishin tepër të luftuar dhe zgjatën 26′, periudhë ku numri 1 i botës i rrrëmbeu dy herë shërbimet tenistit ballkanas. Grigor Dimitrov shfrytëzoi vetëm 2 nga 12 mundësitë që pati për break, statistikë që i kushtoi shtrenjtë, pasi Rafael Nadal mbylli gjithë takimin me rezultatin 6-3, 4-6, 6-1 në 2h e 19′, duke siguruar njëherësh edhe finalen e nëntë, përsa i përket vitit 2017.