Tenisti spanjoll, Rafael Nadal, ka hapur një seli të Akademisë së tij në Kankun të Meksikës. Numri 2 në botë, këtë javë do të rikthehet në fushë në turneun e Akapulko. Nadal paraqitjen e fundit e kishte në finale të Australian Open, ndaj Novak Djokovic, të cilën e humbi.
“Jam i kënaqur që projekti im me Akademinë e tenisit po njeh këtë rritje dhe Meksika është vendi ideal për të përhapur idetë e mia. Unë shpresoj që kjo Akademi këtu të jetë pikë referimi për të ardhmen. Shpresoj që të afrohen sa më shumë vajza, pasi sa më shumë të tilla luajnë tenis aq më i lartë është niveli i këtij sporti”, u shpreh tenisti spanjoll.
Tenisti spanjoll në fund u shpreh se synon që muaji mars të të mbyllet pa dëmtime, në mënyrë që të jetë gati për fushat me dhè, terreni i tij e preferuar.
“Pas Akapulko janë edhe dy turne Masters në Amerikë dhe shpresoj që aty të jem në formë. E vetmja gjë që kërkoj është të luaj mirë dhe të mos dëmtohem, që të mos kem problem si vjet. Sot, për ne tenistët është bërë një formalitet bashkëjetesa me dëmtimet, por shpresoj ta mbyll këtë fazë të sezonit pa probleme fizike”, tha Nadal.