Akademia e tenistit spanjoll Rafael Nadal, me qendër në Manacor, tashmë ka një filial edhe në Cancun të Meksikës. Ajo është e vendosur në një kompleks turistik dhe do të hapet për të gjithë dashamirësit e këtij sporti apo edhe për ata që duan të stërviten e marrin leksione, nga data 1 nëntor. 8 fusha tenisi, njëra prej të cilave edhe me tallash, një palestër, një muzeum dhe një hotel janë pjesë e këtij filiali, ku do të jepen leksioni tenisi.
“Kjo është përvoja jonë e parë jashtë Spanjës dhe për të gjithë ne ky filial është një motiv i madh kënaqësie dhe krenarie. Kemi bërë një punë të madhe për të ardhur deri këtu. Nuk është e lehtë të menaxhosh jetën e 120 të rinjve, që kanë besim tek përvoja jonë për t’u përmirësuar në aftësitë e tyre. Ne do t’u përgjigjemi kërkesave që ata dhe familjet e tyre kanë, duke ua shpërblyer me punë besimin që kanë tek ne”, tha Nadal.