Rafael Nadal konfirmoi edhe një herë pathyeshmërinë e tij në grand slam të Roland Garros, ku korri suksesin nr.12. Në total, tenisti spanjoll ka fituar 18 herë në turnetë grand slam, duke qenë dy fitore pas Roger Federer (20).
“Gjithçka duket e pabesueshme. Nuk arrin të shpjegoj atë që ndjej. Nuk kisha menduar kurrë se do të arrija në këtë shifër, kur fitova në Paris për herë të parë në vitin 2005”, tha Nadal.
“Vjet luajta vetëm në 9 turne për shkak dëmtimi, por edhe këtë vit kam patur disa probleme fizike. Ndaj, ky triumf bëhet edhe më i veçantë. Nuk ka qenë e lehtë, pasi Thiem është një rival i fortë. Fitorja e këtij turneu më bën krenar”, u shpreh më tej tenisti spanjoll.
Federer me 20 grand slam është ende i paarritshëm. “Nuk mendoj për këtë rekord, nuk është një gjë që më shqetëson. Kjo është një sfidë që më motivon, por nuk jam i fiksuar. Për mua fakti që kam fituar 12 herë në Roland Garros më bën të ndihem i lumtur e krenar. E vlerësoj më shumë se çdo statistikë tjetër”, tha Nadal, që tani nis përgatitjet për fushat me bar dhe grand slam të Wimbledon.